3 projektet finaliste për Vjosën, Rama: I hapet rrugë zhvillimit të Parkut Kombëtar, vendim i guximshëm

11:03 | 6 Dhjetor 2023
E.K

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalën e tij në prezantimin e tre ideve finalist të Konkursit Ndërkombëtar të Qendrës Multifunksionale dhe Stacioneve të Informimit për Parkun Kombëtar të Vjosës.

Kryeministri u shpreh se konkursi i sotëm i hap rrugë vizionit të konservimit dhe zhvillimit të Parkut Kombëtar. Turizmi dhe ekonomia, janë dy shtyllat kryesore që do ndikohen pozitivisht nga ky Park Kombëtar.

“Hymë në një fazë të re të konservimit dhe zhvillimit të këtij parku të jashtëzakonshëm kombëtar.

Nuk ka asnjë vend në Europë, që të ketë një Park Kombëtar që e përshkon të gjithë trupin e vendit.

Nuk ka asnjë vend në Europë sot, që të ketë një lum të egër, gjë për të cilën kemi qenë shpeshherë të detyruar tua shpjegojmë miqve tanë ndërkombëtarë që thoshin: duhet ruajtur lumi i fundit i egër në Europë. Po duhet ruajtur, por para se të japin leksionet se si ruhet një lum i egër të kujtojnë se të egër kanë qenë dhe lumenjtë e tjerë, por ata i kanë zbutur, për qëllime që s’kanë të bëjnë me mbrojtjen e natyrës.

Nuk mund të mos e themi, që leksionet morale se si duhet të sillemi me natyrën, qeveria jonë nuk i pranon dot.

Vendim madhor i qeverisë për të pasur një Park Kombëtar të këtyre përmasave.

Konkursi i sotëm i hap rrugë vizionit të konservimit dhe zhvillimit të Parkut Kombëtar”, u shpreh Rama, teksa e konsideroi vendimin për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, vendim të guximshëm.

Më tej kreu i qeverisë, theksoi se ndryshimet klimatike janë një sfidë globale.

“Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm që Shqipëria është një vend që ka të drejtën dhe detyrën të ketë ambicie për t’u rritur ekonomikisht në mënyrë të vazhdueshme, që këtë larmi të madhe të natyrës ta vërë në dispozicion të vetvetes dhe familjeve që jetojnë në këtë vend.

Nuk mund të krijohen thjesht dhe vetëm nga ajo pjesë turistësh që vijnë vetëm me një çantë në krah, por me atë pjesë turistësh që i përkasin kategorisë së konsumatorëve më të lartë të botës së madhe të turizmit.

Vjosa dhe Parku Kombëtar është për ne një shkollë shumë e rëndësishme për të kuptuar si këto të dyja do bashkëjetojnë me njëra-tjetrën”, tha Rama./rtsh.al

Të ngjashme