2774 emigrantë të dëbuar nga Italia, 21% e tyre shqiptarë

15:44 | 5 Dhjetor 2018
A. B.

Italia ka riatdhesuar 2774 emigrantë pa leje të rregullt qëndrimi nga 1 qershori deri më 30 nëntor 2018.

Mes emigrantëve të riatdhesuar rreth 21 % e tyre janë shqiptarë.

Shqiptarët e riatdhesur nga Italia renditen të dytët në numër pas tunizianëve, të cilët përbëjnë 32 % të numrit të të dëbuarve nga territori italian. Pas shqiptarëve renditen emigrantët me kombësi marokene, të cilët përbëjnë rreth 13 % të tyre.

Këto të dhëna janë publikuar sot nga ministri i brendshëm italian, Matteo Slavini në Komitetin Schengen të Parlamentit Italian, i cili merret me politikat e zbatimit të Paktit Shengen në Itali.

Përballë dhjetë deputetëve dhe dhjetë senatorëve, anëtarë të Komitetit Shengen, Slavini referoi gjatë 5 muajve në pozicionin e ministrit është shtuar numri i personave të dëbuar nga Italia për motive sigurie e rrezik terrorizmi.

Janë dëbuar si persona të rrezikshëm për sigurinë kombëtare 66 vetë kundrejt 48 që ishin një vit më parë, raporton “ora”.

Sa i takon çështjes së emigracionit e fluksit të azilkërkuesve në Itali, ministri Salvini ka informuar se do të kërkojë ndalimin e misionit europian Sophia (Mediterraneo Eunavformed Sophia) në Mesdhe.

“Më 31 dhjetor skadon afati i këtij misoni,”-tha ai. “Dhe Italia nuk do të jetë e disponueshme për zbarkimin e emigrantëve në portet italiane.”

Gjithashtu Salvini është shprehur se do të kërkojë rishikimin e rregullave të agjensisë Frontex ndaj normativës së riatdhesimeve si dhe reformës së sistemit të përbashkët të azilit.

Ministri i brendshëm informoi gjithashtu se nga 1 qershori deri më 30 nëntor, numri i emigrantëve të mbërritur në brigjet italiane përmes Mesdheut janë ulur me 83% dhe i emigrantëve të mbërritur nga brigjet libiane janë reduktuar me 92%.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme