Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot nga Luksemburgu se, “ne do ta bëjmë gati Shqipërinë për anëtare të Bashkimit Europianë brenda vitit 2030”.
Në një prononcim për mediet përpara Konferencës së Dytë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në Luksemburg, Rama u shpreh se, “është mënyra më e mirë për të nisur ditën dhe pavarësisht nga moti gri i Luksemburgut, ndihemi vërtet, shumë, shumë të emocionuar dhe shumë të inkurajuar, që më në fund fillojmë me pjesën më të rëndë të punës, çfarë nënkupton çeljen e grupkapitujve të “Themeloreve” me 5 kapituj më shumë, plus 3 kritere, të cilat do të na bëjnë që të ecim më përpara dhe do të përmbyllim brenda afatit tonë mjaft ambicioz të gjithë këtë proces të negociatave dhe më së fundi do ta bëjnë Shqipërinë që të ulet si e barabartë rreth tryezës së shteteve anëtare të BE-së”, tha Rama.
“Ne jemi shumë, shumë të përkushtuar ndaj BE-së që prej ditësh së parë që i ikëm ferrit të diktaturës, duke qenë vendi më i izoluar komunist në Evropë, Koreja e Veriut e Evropës. Kështu që pavarësisht sesi është situata këtu apo niveleve të ndryshme të vëmendjes apo skepticizmit ndaj zgjerimit ne nuk kemi hequr kurrë dorë sepse për ne, Bashkimin Evropian dhe Evropa, janë i vetmi vend ku duam të jemi, i vetmi vend që duam t’u lëmë brezave të ardhshme, me sigurinë që i lëmë në të vetmen hapësirë ku liritë , të drejtat, sundimi i ligjit dhe demokracia mund të garantohen”, u shpreh kryeministri Rama.
Shqipëria dhe Bashkimin Europian në çeljen e negociatave për grupkapitullin e parë
Konferenca e dytë ndërqeveritare Shqipëri – BE, do të shërbejë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian për Grupkapitullin e parë.
Së bashku me kryeministrin Rama janë edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës të grupkapitullit të parë.
Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia e kohezioni; dhe marrëdhëniet me jashtë.
Negociatat për anëtarësim shënojnë momentin kyç në proceset integruese të një vendi për në BE. Negociatat zhvillohen mes ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të vendeve anëtare dhe vendit kandidat përmes Konferencës Ndërqeveritare.
Ato përfshijnë marrjen përsipër nga vendi kandidat të përafrimit të plotë të legjislacionit të BE-së (acquis), zbatimin e tij, si dhe zbatimin e reformave të tjera ligjore, politike, ekonomike, administrative dhe reformave të tjera për të përmbushur kriteret për anëtarësim.
Për qëllime të procesit të negociatave, acquis i BE-së ndahet në 35 kapituj negociues (fusha politikash).
Vendi kandidat nuk negocion mbi acquis e BE-së, por mbi transpozimin e zbatimin e tij.
Më 26 mars 2020, Këshilli Evropian miratoi vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë./atsh
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...