Google ADS

2020 viti i errët për turizmin, Xhepa: Pasiguri edhe për këtë sezon

23:55 | 27 Shkurt 2021
Arbresh.info

Viti 2020 konsiderohet nga operatorët turistikë si shumë i vështirë. Kreu i shoqatës së turizmit në Durrës, Eduart Xhepa tregon se prej pandemisë dhe kufizimit të lëvizjeve pati më pak turistë të huaj për pasojë pjesa më e madhe e operatorëve turistikë kanë dalë me humbje.

“ Viti 2020 ka qenë viti më i errët. Pas tërmetit në Durrës erdhi dhe pandemia që vulosi ecurinë e turizmit. Sektori i turizmit në vitin 2020 ka qenë në vështirësi shumë të madhe. Është diskutuar vetëm mbyllja e shpenzimeve dhe shumë nga operatorët nuk kanë mbuluar dot as shpenzimet. Kjo është shumë e rëndë pasi industria e turizmit ka shumë të punësuar dhe marrëdhënie shumë të ngushtë me të gjithë prodhuesit vendas”, tha Xhepa.

Po si e sheh ecurinë e sezonit turistik në 2021 Xhepa?

“Këtë vit turizmi është në një pikë shumë kritike. Në muajt mars-prill strukturat akomoduese fillojnë përgatitjen. Të gjithë kanë nevojë për një ndihmë financiare nga shteti pasi është një industri shumë në vështirësi. Shtetit duhet të marrë masa për ta ndihmuar”, shprehet ai.

Pasiguri shfaqin dhe operatorët turistikë në Sarandë. Arben Çipa kreu i operatorëve turistikë të këtij qyteti sqaron për këtë sezon turistik nuk janë nënshkruar kontrata me tur-operatorët e shteteve të tjera.

“Operatorët turistikë i nënshkruajnë kontratat me homologët e tyre në muajt gusht, shtator apo tetor të vitit paraardhës, pra në 2020 duhet të ishin firmosur kontratat për vitin 2021. Po kjo nuk ka ndodhur për arsye se të gjitha palët nuk janë të sigurt se çfarë do të ndodhë”, sqaroi ai.

Edhe përgjatë dimrit pjesa më e madhe e hoteleve që shtrihen përgjatë vijës bregdetare janë bosh.

Hotelet po punohet me staf të përgjysmuar dhe në shumë po funksionojnë si restorante apo kafene./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme