Google ADS

20 vite punoi në polici, Vetting-u vret oficerin në Fier

17:26 | 24 Prill 2018
Arbresh.info

Prej më shumë se 20 vitesh në polici, 46-vjeçari Kastriot Fafaj, i dha fund jetës fare pranë ambienteve të punës mëngjesin e kësaj të marte.

Duhet të ishte një ditë e zakonshme për 46-vjeçarin, por ditën e sotme ka vendosur që të vrasë veten me armën e shërbimit, vetëm pak minuta pasi kishte mbyllur turnin. Fafaj ka nxjerrë nga këllëfi pistoletën e shërbimit dhe ka qëlluar veten, duke lënë pas dy fëmijë.

Ngjarje e rëndë ka tronditur të gjithë kolegët e tij, ndërsa akoma me tronditëse janë motivet që çuan oficerin e Patrullës së Përgjithshme të Rendit në Fier t’i jepte fund jetës.

Pak orë pas ngjarjes, në një prononcim për mediat, Shyqyr Fafaj, babi i 46-vjeçarit thotë se djali i tij e mori këtë akt të rëndë, pasi ishte shumë i stresuar me procesin e përgatitjes së dokumenteve në kuadër të Vetting-ut në Policinë e Shtetit, transmeton Express.

“Ka qenë shumë i ndërgjegjshëm. Vetëm se e ka ngarkuar dega, a ministria e drejtësisë andej vetëm për dokumentet e vettingut. Kërkonin ca gjëra që nuk iu takonte fare. Më thoshe mua kur ke hyrë në Greqi dhe kur ke dalë nga Greqia.

Unë nuk isha në kërkim nga shteti, pse t’ia kërkonit çunit? Çunit t’i kërkonin punën që kishte si polic. Për këtë u vra çuni. Iu fiksua një budallallëk i tij dhe prandaj vrau veten. Po çuni ishte shumë i pastër. Nuk përzihej me këto gjëra. Ishim të ndarë, unë isha vetëm por unë e ndihmoja më shumë gjëra”, ka deklaruar i ati i 46-vjeçarit

Madje ai vazhdon edhe me tej, se djalit të tij i kishin kërkuar dokumente edhe për lëvizjet që kishte bërë ai jashtë shtetit, edhe pse, siç thotë, ai prej disa vitesh ishte i ndarë me të.

“Vetëm është vetëvrarë nga ngarkesa e degës që ka bërë këtu. I kërkonte ca gjëra të tepruara. Ç’i duhej degës me pasaportat e mia se hyja në Greqi, se dilja. Unë isha pensionist, hyja e dilja ku të më donte qejfi, 2 ditë, 3 ditë, një javë, një muaj. Çuni ishte i ndarë. Vetëm kjo është, asgjë tjetër se iu ngarkua truri. Më kërkonin mua sa lekë merr pension. Ai ishte një çun që nuk përzihej me asnjëri. E donte vetë të lëvizte se çohej e ikte larg. Unë di që i bënin disa kërkesa të tepërta”, thotë Shyqyri Fafaj.

Vetting-u në Policinë e Shtetit ka vënë në vështirësi mijëra efektivë të policisë, pasi kërkohen më shumë se 20 dokumente dhe në një afat kohor prej 1 muaj.

Jo vetëm kaq, por efektivëve u kërkohet dokumentacione për të gjithë periudhën që kanë qenë në polici, dhe jo siç ndodh me gjyqtarët dhe prokurorët, vetëm 10 vitet e fundit të punës së tyre.

Në një kohë kur në 1997 Komisariateve iu vu flaka, duke djegur të gjithë dokumentacionin që kishin në zyrë, si dhe kur dihet se vetëm vitet e fundit është vënë në funksion sistemi bankar në Shqipëri, sfida e të gjithë punonjësve të policisë është që ata për më pak se 1 muaj të sigurojnë letrat për pagat e marra dhe për lëvizjet që kanë bërë.

Akoma më e vështirë bëhet situata kur për të marrë vërtetime nga bankat, punonjësve të policisë u duhet që paguajnë lekë.

Edhe pse Ministria e Brendshme duhet të niste një fushatë më intensive për të informuar punonjësit e saj lidhur me këtë proces, vetëm ditët e fundit kemi parë që zyrtarë të lartë të kësaj ministrie kanë dalë në mediat dhe kanë folur për proceduar që duhen ndjekur.

Kur Vettng-u duhet të ishte një proces që largon nga Policia punonjës që kanë shpërdoruar me detyrën dhe janë të lidhur me grupe kriminale, duket se ky proces më shumë po godet efektivët e thjeshtë, deri në ekstrem madje, siç ishte ngjarja e ditës së sotme në Fier./GazetaExpress

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme