Veliaj: Më 14 Maj të votohet për familjen dhe jo partitë

17:23 | 7 Maj 2023
E.H

Nga Kavaja, teksa përuroi veprën artistike ‘Meteor’, e instaluar në qendër të Golemit, si një hapësirë për fëmijët, por edhe të rriturit, Drejtuesi Politik i PS-së për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se Golemi po ndryshon falë punës së bërë nga kryetari i Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, kandidat për një mandat të dytë.

“Jemi vërtet mirënjohës kur falë punës së Redit, Golemi është më i pastër, më i ndriçuar, Golemit i është rritur vlera e pronës. Nëse e krahasojmë me vetëm katër vite më parë, kemi dyfishim të vlerës së pronës dhe kjo është meritë e stafit të Bashkisë së Kavajës, e Redit dhe e gjithë qytetarëve të mrekullueshëm të Golemit, që punojnë gjithë vitin, gjithë verën janë aty për të shërbyer ndaj turizmit, ndërkohë në dimër kryejnë mirëmbajtjen, që të sigurohemi që çdo sezon na gjen më mirë”, njoftoi Veliaj.

Veliaj tha se më 14 Maj qytetarët duhet të votojnë për familjen e tyre dhe jo për partitë.

“Do të doja shumë që këtë fundjavë, më shumë se të interesohemi për partitë, të interesohemi për vogëlushët tanë. Nëse këta vogëlushë e kanë qytetin më të pastër, atëherë e dimë si do shkojë 14 maji! Nëse këta vogëlushë, falë punës së Redit dhe skuadrës së Bashkisë së Kavajës, kanë çerdhe, kopshte, shkolla, më shumë gjelbërim, më shumë hapësira, më shumë pemë e kënde lodrash, atëherë ju them të gjithëve: Votoni për fëmijët tuaj, jo për partitë! Votoni për familjet tuaja, që ta çojmë gjithnjë e më përpara Kavajën dhe Golemin tonë! Ju falenderoj të gjithëve nga zemra”, tha Veliaj.

Sipas Veliajt, më 14 Maj qytetarët e kanë vetë në dorë nëse duan ta çojnë Kavajën përpara me Partinë Socialiste./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme