Pas një hetimi disa mujor, për kultivimin e bimëve narkotike në Qarkun e Shkodrës, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, ekzekutuan gjatë ditës së djelë masat e sigurisë për 13 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Policisë së Shkodrës.
Ndaj tyre janë administruar prova dhe fakte, që ngrenë dyshime se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë favorizuar kultivimin e bimëve narkotike në Njësinë Administrative “Ana Malit”, fare pranë qytetit të Shkodrës dhe pikëkalimit kufitar të Muriqanit, në kufirin me Malin e Zi.
Zyrtarët e policisë së Qarkut të Shkodrës akuzohen se kanë neglizhuar me dashje marrjen e masave të domosdoshme për parandalimin, evidentimin e kultivimit dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, duke krijuar kështu kushte të favorshme për largimin e tyre.
Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masat e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj 11 punonjësve të policisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
Mes tyre janë zv drejtori për hetimin e krimit, ish shefi i komisariatit të policisë Shkodër, aktualisht me detyrë shef i rendit në DVP Tiranë, shefi i sektorit të policimit në komunitet si dhe shefi i sektorit për hetimin në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, Rajoni Shkodër.
Një masë më e rëndë sigurimi u dha sot nga gjykata për Shefin e Seksionit për Hetimin e Krimit pranë Komisariatit të Policisë Shkodër, Pëllumb Shpati dhe Ndihmës Specialistit të Policimit në Komunitet, inspektorit Taulant Kurtaj.
Për ta, gjykata mori masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për shkak të dyshimeve për shpërdorim të detyrës, e kryer në bashkëpunim si dhe “Përkrahje te autorit të krimit”.
Në janar të këtij viti, shefit të seksionit të krimeve në policinë e Shkodrës, Pëllumb Shpatit, ju vendos në banesë lëndë shpërthyese ‘tritol’ nga persona ende të paidentifikuar.
Si pasojë e shpërthimit pati vetëm dëme materiale, ndërsa zoti Shpati dhe familjarët e tij deklaruan se ngjarja kishte lidhje me detyrën si shef i seksionit të krimit.
Përfshirja e 13 zyrtarëve dhe punonjësve të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës dëshmon mungesën e efektivitetit të policisë në luftën ndaj kultivimit të bimëve narkotike në Shkodër, Malësi të Madhe, Vau Dejës dhe Pukë.
Rajoni i Shkodrës vazhdon të mbetet një nga zonat më të prekura nga kultivimi i bimëve narkotike.
Në mars, në afërsi të qytetit të Koplikut u zbuluan 27 sera me rreth 8000 fidanë të bimës narkotike cannabis sativa.
Ndërsa në muajin qershor u zbuluan edhe 6 sera të tjera me cannabis në zonën e Velipojës./VOA/