Atdhetari shqiptar Isa Boletini, njëri nga organizatorët e lëvizjes për çlirim e bashkim kombëtar, është vrarë 102 vite më parë në Podgoricë.
Isa Boletini lindi në fshatin Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17-vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.
Më 1901-1902 u vu në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Udhëhoqi luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë më 1910, mbështeti kryengritjen antiosmane të vitit 1911, udhëhoqi forcat kryengritëse në zonën Drenicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Prishtinë më 1912.
Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, u vu në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë. Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.
Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më vonë, Isa Boletini kaloi përsëri në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë.
Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet të madh si udhëheqës popullor. Isa Boletini e lidhi jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e shprehu me fjalët: “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.
Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre luftëtarë të tjerë.
Kurti: Sulmet terroriste e kanë bërë çështje urgjente anëtar...
Rama: Dekada e fundit vendimtare për Shqipërinë, rol përcakt...
Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do t’i jep fund apetit...
Der Spiegel: Kosova ka humbur rreth 12 për qind të popullsis...
“Ish krerët e UÇK-së po mbahen peng në Hagë”, Rama nga Prish...
Masat e BE-së ndaj Kosovës, Rama: Duhet të hiqen- Barra duhe...