10 vatra zjarri në 24 orët e fundit në Shqipëri

14:43 | 20 Gusht 2017
Arbresh.info

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë Shqipërinë janë shënuar 10 vatra zjarri në disa qarqe.

Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 70 punonjës zjarrfikës, 15 automjete zjarrfikëse, 70 personel nga Forcat e Armatosura të Ushtrisë, mbi 40 punonjës të Pyjores e të bashkive, dhjetëra qytetarë vullnetarë, të mbështetur edhe nga helikopterë.

Specialistët e Emergjencave Civile janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

QARKU SHKODËR

Vatrat e zjarrit në pyllin me pisha mbi pikën turistike të fshatit Theth, bashkia Shkodër, të cilat rrezikonin banesat dhe pushuesit janë shuar pas futjes në operacion të helikopterit. Forcat e Pyjores nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit të thyer malor.

QARKU LEZHË

Vijon operacioni në fshatin Orosh, bashkia Mirditë në zjarrin pranë një pylli me pisha. Zjarrfikësit me mjete janë mbështetur edhe nga forca ushtarake dhe forca të bashkisë. Zjarri është mbajtur nën kontroll nga forcat dhe nuk ka prekur pyllin me pisha. Zjarri ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me ferra dhe shkurre.

QARKU ELBASAN

Vijon puna për izolimin e vatrave të zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyll me lisa të vegjël, në fshatin Bulçar, bashkia Gramsh. Forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga forca të pyjores dhe banorë të zonës, kanë izoluar gati të gjithë vatrat e zjarrit. Si pasojë e zjarrit është djegur sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre, ferra dhe pyll me lisa të vegjël.

Në fshatin Hasmashaj, bashkia Peqin, ka rënë zjarr në sipërfaqe me ferra dhe ullishte. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete dhe shuan zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 0.2 ha me ferra dhe 3 rrënjë ullinj të moshës rreth 10-vjeçare.

QARKU FIER

Në vendgrumbullimin e plehrave të qytetit Lushnje ka rënë zjarr, qe rrezikonte të përhapej. Zjarrfikësit me mjete kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin.

QARKU VLORË

Në fshatin Navaricë, Dhivër, bashkia Finiq, ka rënë zjarr në një sipërfaqe të pyllëzuar, e cila ndodhet në një terren të thyer rreth 3 km larg nga Syri i Kaltër. Në vendngjarje kanë ndërhyrë zjarrfikësit të mbështetur nga punonjës të bashkisë dhe vullnetarë, të cilët kanë izoluar vatrat e zjarrit që rrezikonin banesat e fshatit Navaricë. Si pasojë e zjarrit u dogj nje sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre, dushk dhe mare.

QARKU BERAT

Në fshatin Goraj, Perondi, bashkia Kuçovë, ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Zjarrfikësit me mjete, të ndihmuar nga të bashkisë dhe forca vullnetare, kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe rrënjë ullinj.

QARKU KORÇË

Ka vazhduar puna për të shuar zjarrin e rënë në pyllin me pisha të larta në kufirin ndarës Lekas dhe Voskopojë, të bashkisë Korçë. Zjarrfikësit me mjete të mbështetur nga punonjës të bashkisë, punonjës të pyjores, banorë të zonës dhe dhjetëra dhe forca ushtarake, kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit është djegur dhe përshkuar nga flakët një sipërfaqe e konsiderueshme pyll pishe.

Në fshatin Shalës, bashkia Kolonjë, ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre, dëllinjë dhe pishë. Zjarrfikësit me mjete, të mbështetur nga forca të pyjores, kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 2 ha sipërfaqe me shkurre, dëllinjë dhe pishë.

Në unazën e qytetit Ersekë, ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre dhe ferra, pranë së cilës ndodhej një pikë karburanti. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.4 ha sipërfaqe me shkurre dhe ferra.

Në Leskovik ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra te varrezat e qytetit. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj 0.1 ha sipërfaqe me shkurre dhe ferra.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme