10 mijë të vetëpunësuar dalin pa punë në Shqipëri

09:03 | 21 Mars 2018
Arbresh.info

Gjatë vitit të kaluar 34,099 kontribuues të rinj iu shtuan skemës së pensioneve, raportohet në të dhënat zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Në total numri i kontribuuesve në skemë u rrit me 4.7 për qind dhe ndikimin më të madh e kanë dhënë të punësuarit në biznesit privat.

Në bizneset private u raportuan 32,327 persona të siguruar rishtas vitin e kaluar me një rritje prej 9.9 për qind. Kjo rritje ka ardhur për dy arsye kryesore, formalizimi dhe rritja e punësimit në sektorin e fasonit.

Qeveria shqiptare vitin e kaluar hyri në fazën e dytë të luftës antiinformalitet, e cila u përqendrua në formalizmin e punonjësve në sektorin privat. Gjithashtu sektori i industrisë sidomos sektori fason është zgjeruar me shpejtësi vitin e kaluar duke dhënë një kontribut të theksuar në punësim.

Në të kundërt sektori i vetëpunësimit po reflekton një krizë. Vitin e kaluar kanë dalë nga skema e sigurimit rreth 10 mijë persona duke e ulur numrin e kontribuuesve në këtë kategori në 110,472 mijë më 2017 nga raport me 120,460 mijë që ishin më 2016, raporton “Monitor”.

Gjithashtu kontribuuesit në ndërmarrjet shtetërorë u rriten me 3,4 për qind. Përmirësim i numrit te kontribuuesve u pa edhe në fshat me rreth 10 për qind. Gjithsesi kontribuuesit në fshat janë shumë të pakët në numër në raport me vitin 2014, para se të aplikohej reforma e re pensioneve që rriti masën e kontributit për këtë kategori.

Prej rritjes së numrit të kontribuuesve, te ardhurat ne skemën e sigurimeve u rriten ne 86 ,9 miliardë lekë ose 8.3 për qind më shumë se një vit me parë sipas të dhënave zyrtare të ISSH-së. Të ardhurat u rriten prej arkëtimeve në personat fizikë dhe juridikë, që përfaqësojnë të punësuarit në sektorin jobujqësor.

Por nga ana tjetër shpenzimet për skemën kanë vijuar rritjen edhe gjatë vitit të kaluar me një total 114 miliardë lekë ose 4.4 për qind më pak se vitit i kaluar. Gjithsesi deficiti i skemës është zbutur disi për shkak se ritmet e rritjes së të ardhurave kanë qenë më të larta se rritja e shpenzimeve.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme