Google ADS

Rama i kundërpërgjigjet akuzave të Sali Berishës

10:02 | 1 Nëntor 2022
A Z

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i është kundërpërgjigjur ish-kryeministrit, Sali Berisha, me një reagim në Twitter pas akuzave për udhëtimet me charter.

Ai ka deklaruar se tashmë Berisha është bërë palë me hakerët iranianë dhe Rusinë të cilët thotë se po përpiqen të çoroditin popullin shqiptar.

“I Zot të qash a të qeshësh, vetëm këtu bën vaki të të dyndin me shpifje dhe të të thonë bëj transparencë! Po si bëhet kjo transparenca kur u tregon shifrat dhe bëjnë sikur nuk kuptojnë?! Po kur thonë pse i bën reklamë Shqipërisë? Po kujt t’i bëj, kanaleve, portaleve apo rublave?!”.

“Jemi pyetur shumë herë këto vite për avionin ALBANIA dhe i kemi dhënë informacionet, po tani u bashkuan hakerat iranianë dhe grupi Rubla Çorba, kështu që u ngrit tymi lart se helbete, duhet hedhur sa më shumë blozë, “S’ka asnjë faj Putini, çohu o popull se duhet rrëzuar regjimi!””, tha ai, shkruan TCh.

Ai ka thënë se tërë qeveritë e rajonit kanë avionët e tyre, pos Shqipërisë dhe Kosovës, duke shtuar se kanë blerë orë fluturimi pasi s’mund të blejnë ose marrin me qira një avion.

“Lëre pastaj kur thonë me charter udhëtojnë vetëm sheikët e diktatorët, ndërkohë që tërë qeveritë e rajonit, se Europës po e po, kanë avionët e tyre përjashto Shqipërinë e Kosovën! Ne s’e blejmë dot,me qera s’e marrim dot,ndaj kemi blerë orë fluturimi me marrëveshje promocionale!”.

“Po ku është hilja thonë se s’ka mundësi?! Ka si s’ka! Hilja është ashiqare fare tek përpjekja non stop për ta helmuar, çoroditur, nxitur për sherr e për konflikt këtë popull me shpifje sa më të përbindshme, nisur nga gjysëm të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha!”, ka shkruar Rama në Twitter.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme