Google ADS

Pa kandidat edhe raundi i dytë për Presidentin

18:52 | 23 Maj 2022
A Z

Asnjë surprizë nuk ka prodhuar edhe raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit, ku palët sërish nuk paraqitën brenda afateve kushtetuese asnjë kandidaturë për emrin e ri që do të ngjitet në karrigen e kreut të shtetit, pas largimit nga detyra të Ilir Metës.

E në këto kushte, Komisioni i Ligjeve vendosi t’ia përcjellë raportin Kuvendit që do të mblidhet në orën 18:00 të pasdites për ta hedhur atë në votim, duke e cilësuar edhe këtë raund të ezauruar.

“Edhe për këtë raund nuk ka kandidatura, raundi i dytë quhet i kryer”.

Ora 16:00 e pasdites së të dielës ishte afati për të depozituar kandidatët, por prishja e konsensusit mes palëve bëri që dakordësia mes Taulant Ballës dhe Enkelejd Alibeajt të zgjaste fare pak.

Në emër të grupit parlamentar, Alibeaj akuzoi mazhorancën se shkeli dokumentin e dakordësuar më herët për procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve, ku sipas tij emri që do të çohej për votim në raundin e dytë duhet të kishte edhe firmat e socialistëve.

Por Taulant Balla mohoi të ishte dakordësuar një marrëveshje e tillë me opozitën, duke e ftuar këtë fundit që të vijonte negociatat, pasi deri në raundin e tretë shumica nuk do të propozonte asnjë kandidat.

Deri në raundin e tretë për miratimin e emrit të ri të Presidentit nevojiten 84 vota, ndërsa në raundin e katërt dhe atë të pestë shumicë e thjeshtë, 71 vota, të cilat socialistët i zotërojnë të vetëm./tvklan

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme