1 milion euro dëm shtetit, çmontohet skema e mashtrimit me faturat në Tiranë

14:51 | 25 Prill 2024
E.H

Një skemë mashtrimi përmes faturave fiktive, me vlerë 1 milion euro në dëm të shtetit shqiptar është parandaluar në kohë nga Prokuroria e Tiranës dhe policia e kryeqytetit.

Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim organizatorin e skemës, i cili rezulton i punësuar si specialist taksash në Drejtorinë e Borxhit të Administratës Tatimore dhe një person tjetër, të cilët kryenin mashtrimin me faturat përmes kompanisë “AL-Dor”.

Hetimet kanë zgjatur disa muaj dhe rezulton se “nga analizimi dhe studimi i të dhënave të shoqërive objekt hetimi, ato kanë funksionuar si furnizues, të cilët kanë lëshuar fatura fiktive duke mos kryer asnjë blerje dhe duke mos ushtruar në asnjë moment aktivitet ligjor”.

“Më datë 21.04.2024, prokuroria kërkoi masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj 2 shtetasve L. D. (administrator) dhe organizatori shtetasi S. K. (Specialist Taksash në Drejtorinë e Borxhit, në Administratën Tatimore) të lidhur ngushtë me subjektin fiktiv “AL-Dor”. Pas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhoma penale, të dy personat janë shpallur në kërkim. Faturat fiktive janë injektuar në mënyrë direkte në shoqëri tregtare që operojnë në fusha të ndryshme, në vlerën totale prej 320,608,000 lekë, duke i shkaktuar shtetit një dëm financiar në TVSH dhe TF (Tatim Fitimi), afërsisht 1 milion euro. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të lidhur ngushtë me subjektin Al-Dor, kanë konsumuar elementë të veprës penale “Skemë Mashtrimi në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe “Bashkëpunimit”, parashikuar nga nenet 144/a dhe 25 e Kodit Penal”, thuhet në njoftim.

Po ashtu dyshohet se në këtë skemë kriminale mashtrimi janë të përfshirë edhe persona dhe subjekte të tjera, si dhe funksionar të administratës shtetërore, për të cilat vazhdojnë hetimet./A2CNN

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme