Caktohet data e zgjedhjeve në Shqipëri

15:17 | 24 Tetor 2022
Emir Abduramani

Në datë 14 Maj të vitit 2023 do të mbahen zgjedhjet vendore në Shqipëri. Data është dekretuar nga presidenti Bajram Begaj.

Në njoftimin zyrtar të presidencës, thuhet se “Presidenti e vlerëson periudhën deri në zgjedhje si shumë të rëndësishme për përmbylljen me sukses të kësaj sfide demokracie për institucionet, partitë politike dhe gjithë shoqërinë shqiptare, si dhe thekson se është koha për të demonstruar përkushtim dhe bashkëpunim institucional, pjekuri politike dhe përgjegjshmëri qytetare”.

Begaj nxit të gjitha palët që të shkojnë drejt kësaj date me përulësi dhe respekt ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë.

Ndër të tjera, Presidenti Begaj nënvizon se Komisioni i Reformës Zgjedhore ka detyrimin të përshpejtojë punën dhe të adresojë në kohë të gjitha çështjet e dala nga rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it.

Me këtë rast, Presidenti Begaj vlerëson nevojën e vendosjes së normalitetit politik në pushtetin vendor dhe u bën thirrje partive politike që të shkojnë në këto zgjedhje me alternativa politike serioze e konkurruese, që kanë në qendër të vëmendjes qytetarin dhe standardet më të mira demokratike. /tvklan.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme