​Shqipëri, 14 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit

13:54 | 17 Gusht 2017
Arbresh.info

Sipas Emergjencave Civile, në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 106 punonjës zjarrfikës, 20 automjete zjarrfikëse, 140 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, dhjetëra punonjës të Pyjores, të bashkive dhe qytetarë vullnetarë, të mbështetur nga helikopterë.

QARKU SHKODËR
Në fshatin Vig, bashkia Vau Dejës ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra pranë banesave, i cili me pas është përhapur në një pyll me pisha. Forcat zjarrfikëse dhe punonjës të pyjores kanë punuar për të izoluar dhe shuar flakët, dhe operacioni është në vazhdim. Si pasojë është djegur një banesë pranë vatrës së zjarrit, 20 koshere me bletë dhe një sipërfaqe relativisht e madhe në pylli me shkurre dhe pisha. QARKU KUKËS Në fshatin Nimçe, bashkia Kukës ka rënë zjarr në shkurre dhe pisha. Zjarri është shuar nga punonjës bashkiakë dhe banorë të zonës duke mos lejuar shkaktimin e dëmeve ekonomike. QARKU LEZHË Në fshatin Selitë, bashkia Mirditë ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra pranë një pylli me pisha. Zjarrfikësit me mjete kanë punuar duke izoluar zjarrin që të mos prekej pylli me pisha. Në fshatin Orosh, bashkia Mirditë ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra pranë pyllit me pisha. Zjarrfikësit me mjete kanë punuar për të izoluar zjarrin që ende rrezikon të kalojë në pyllin me pisha. Priten të shkojnë në ndihmë forca të ushtrisë. QARKU TIRANË Në fshatin Sineballaj, bashkia Rrogozhinë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë akacie. Zjarrfikësit me mjete kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 0.5 ha me shkurre dhe 3 pemë akacie.

QARKU FIER Në fshatin Darëzezë, bashkia Fier ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Zjarrfikësit me mjete kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.1 ha me shkurre dhe pisha. Në fshatin Shtyllas, bashkia Fier ka rënë zjarr në shkurre dhe kallama pranë një ullishteje. Zjarrfikësit me mjete kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.4 ha me shkurre dhe kallama.

QARKU VLORË Në fshatin Janicat dhe Cerkovicë, bashkia Finiq, zjarret kanë marrë përmasa duke rrezikuar seriozisht banesat e këtyre dy fshatrave. Punonjës të bashkisë Finiq kanë punuar me mjete rrethanore për të izoluar zjarrin e rënë në terrenin tepër të thyer, por flakët të favorizuara nga era kanë dalë jashtë kontrollit. Në vendngjarje kanë shkuar forca zjarrfikëse me mjete e forca ushtarake dhe të gjithë së bashku kanë bërë të mundur izolimin e vatrave të zjarrit duke shmangur rrezikun për banesat e dy fshatrave. Në fshatin Kudhës të bashkisë Himarë ka rënë zjarr në pyllin me shkurre, mare, pemë frutore dhe ullinj. Zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë me mjete për shkak të terrenit tepër të thyer por kanë punuar me mjete rrethanore për të mbrojtur banesat. Zjarri në këtë zonë pyjore nuk është shuar plotësisht dhe kërkon ndërhyrje nga ajri.

QARKU BERAT Në fshatin Kutalli, bashkia Ura-Vajgurore ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra. Zjarfikësit me mjete, të mbështetur edhe nga forca ushtarake, kanë izoluar zjarrin duke eliminuar rrezikun për banesat e fshatit. Si pasojë e zjarrit u dogj sipërfaqe e madhe me shkurre dhe ferra.

QARKU GJIROKASTËR Në fshatin Hormovë, Qendër Tepelenë ka rënë zjarr në shkurre dhe kullotë. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit me mjete duke izoluar vatrat e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe relativisht e madhe me shkurre dhe kullotë. Në fshatin Shtëpëz, Picar, bashkia Gjirokastër është riaktivizuar një vatër zjarri në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, që nisi të merrte drejtim nga banesat e fshatit. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit me mjete, të mbështetur nga forca ushtarake dhe forca të pyjores. Zjarri është izoluar, por nuk është shuar plotësisht. Si pasojë e zjarrit u dogj sipërfaqe e madhe me shkurre dhe kullotë.

QARKU KORÇË Në kufirin ndarës mes njësive Lekas dhe Voskopojë, të bashkisë Korçë ka rënë zjarr masiv në një pyll me pisha të larta. Në terren janë forca të zjarrfikëset dhe forca ushtarake të mbështetura nga helikopteri, dhe operacioni është në vazhdim dhe paraqet vështirësi ndërhyrjeje për shkak të terrenit të thepisur. Në fshatin Leshnje, Barmash, bashkia Kolonjë ka rënë zjarr në shkurre, pisha dhe ah. Në vendngjarje kanë punuar zjarrfikësit të mbështetur nga forca të pyjores dhe të policisë kufitare duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.3 ha me shkurre, pisha dhe ah.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme