Google ADS

​​Rama: BE ka nevojë për Evropën Juglindore

19:13 | 8 Nëntor 2019
Arbresh Info

Pas marrjes së një “JO” për negociatat më Bashkimin Evropian, kryeministri Edi Rama nuk ka nguruar të ironizojë vendimin e marrë në Këshillin Evropian.

“Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, apo Evropën Juglindore, po aq sa Evropa Juglindore ka nevojë për Bashkimin Evropian. Ata që nuk e kuptojnë këtë, nuk kuptojnë mirë çfarë është në lojë, apo cilat janë sfidat e sotme dhe të së ardhmes”, tha Rama.

Ironia e kryeministrit vijoi edhe më tej kur tha se vendet tona ende nuk janë gati të anëtarësohen në BE. Sipas Ramës, BE nuk përfiton asgjë nëse luan “lojën e fajësimit” dhe jo të “meritokracisë”

“Vendet tona nuk janë gati të anëtarësohen, prandaj nëse loja e “meritokracisë” shndërrohet në “lojën e fajësimit”, sa herë që mungon kapaciteti për të nxjerrë një vendim konsensual, kjo gjë nuk i sjell asnjë të mirë BE-së dhe procesit. Megjithatë ne e dimë edhe që rajoni ka shumë potencial për të shfrytëzuar. Ne do të bëjmë më të mirën tonë, duke rritur bashkëpunimin rajonal dhe duke bërë më të mirën tonë për të shmangur pasojat negative, që sjell ky vendim i verbër, apo mosvendim i tetorit në opinionin publik apo në të ardhmen”, tha Rama.

Këtë deklaratë kryeministri Edi Rama e bëri ditën e sotme në Gjenevë, ku mori pjesë në Forumin e Davosit për Dialogun Strategjik mbi Ballkanin Perëndimor./Ora News/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme