Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se takimi i sotëm informal i kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Durrës kishte për fokus lehtësimin e bashkëpunimit ekonomik për qarkullimin e mallrave, ndërkohë që ai në këtë takim ka ngritur problemin e vizave që ka Kosova me Bosnjën, si dhe problemin e energjisë me Serbinë.
Mustafa ka thënë për KosovaPress se është në interes të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor lehtësimi i bashkëpunimit ekonomik, digjitalizimi i ekonomisë dhe shfrytëzimi i teknologjisë informatike në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Duke folur rreth zonës ekonomike rajonale, kryeministri Mustafa sqaroi se nuk bëhet fjalë për themelimin e mekanizmave të një tregu të veçantë të Ballkanit Perëndimor, por vetëm për lehtësimin e qarkullimit të mallrave.
Kryeministri Mustafa ka theksuar se takimi ishte i orientuar në gjetjen e mekanizmave të implementimit të planit aksionar për të cilat janë pajtuar në samitin në Trieste të Italisë, ndërsa ka numëruar edhe disa nga përfitimet që do të kenë bizneset me unifikimin e politikave fiskale.
“Unë mendoj se fitojnë shumë bizneset për arsye se shkurtohet afati apo koha e qëndrimit të mallrave në kufi, lehtësohet ky qarkullim. Pastaj, do të bëjmë maksimumin që ne të unifikojmë, që të barazojmë politikat fiskale dhe politikat tjera ndërmjet vendeve tona, në mënyrë që të mos kemi dallime të mëdha në aplikimin e politikave në përgatitjen e shërbyesve civilë ose ekspertëve, të cilët punojnë në kufi që të mos ngadalësojnë qarkullimin e mallrave dhe me këto fitojnë bizneset, sepse bëhen më konkurruese. Mallrat bëhen më të lira për arsye se zvogëlohen shërbimet e qëndrimet të tyre dhe ne bëhemi më konkurrentë edhe në tregun e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të tregut të Bashkimit Evropian”, tha ai.
Mustafa ka thënë se në këtë takim ka ngritur edhe çështjen e problemit të vizave që ka Kosova me Bosnjën, si dhe problemin e interkoneksionit me Serbinë.
“Ne për Kosovën, theksuam edhe problemet që kemi me Bosnjën e Hercegovinën, problemin e regjimit të vizave, sepse bizneset tona nuk mund të qarkullojnë lehtë ndërmjet dy vendeve, si dhe me Serbinë problemin e interkoneksionit, përkatësisht implementimit të marrëveshjes për energjinë, e cila na ka bllokuar deri më tani që mos të aktivizojmë infrastrukturën në interkoneksione të energjisë elektrike me Shqipërinë edhe përkundër faktit, se ne kemi investuar mbi 70 milionë euro së bashku me Shqipërinë përmes Bankës Gjermane për Zhvillim dhe qeverive tona”, u shpreh Mustafa.
Detaje nga takimi i Kurtit me kryetarin e Kuvendit të RMV-së...
Takohet për herë të parë grupi punues për hartimin e Strateg...
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës