Pas 6 vitesh në Zelandën e Re bashkë me partnerin dhe djalin e saj, këngëtarja e njohur, Vesa Luma ka vendosur të rikthehet në Shqipëri, sigurisht me projekte të reja muzikore.
Vesa thotë se arsyeja kryesore ishte djali i saj Lian, i cili sipas Vesës duhet të rritet pranë gjyshërve dhe të flasë shqip.
-Pse e morët këtë vendim? Sa kohë u bë gjithsej në Zelandën e Re?
Vesa Luma: Geri ka 4 vjet që nuk ka ardhur, por në përgjithësi kemi qëndruar 6 vite. Unë kam ardhur e kam ikur, kohë pas kohe dhe asnjëherë nuk jam adaptuar 100%, por kur është fëmija në pyetje normalisht bëhen disa sakrifica. Kështu që edhe unë edhe Geri, nuk është se gjithmonë jemi njerëz që duam atë stabilitetin që këtu do rrimë, këtu do përfundojmë.
Sa herë kthehemi në Shqipëri e Kosovë na ngreh vendi, familja dhe përveç asaj unë them që sa herë dikush merr rrugën për diku tjetër, gjithmonë do jetë në mes. As në tokë e as në qiell, as andej as këtej, sepse sheh diçka ndryshe, pastaj kthehesh, por kur e vëmë në peshore, them ok, duhet ta lejojmë dhe djalin që të rritet me gjyshërit. Të përjetojë kënaqësinë e të qenurit fëmijë me gjyshërit, shoqërinë, kushërinjtë, me fjalë shqip dhe ja ku jemi!
-Si ka reaguar Liani për këtë ndryshim, për këtë zhvendosje këtu? Si i duket?
Vesa Luma: Liani, shumë më mirë se ne. Se ne kemi pasur atë frikën se nuk do mund të adaptohet, por fëmijët adaptohen në çdo ambient. E rëndësishme është të ketë afër njerëzit që i don, që ne na kanë munguar shumë. Na ka pasur ose mua ose Gerin dhe disi është rritur para kohe, kështu që ai tani po e shijon më së miri dhe është përshtatur. Nganjëherë e bezdisim dhe ne i themi “do kthehemi”, “të lutem jo se dua të rri.” Ai është shumë shumë i lumtur, vërehet lumturia./tvklan.al