Disa të famshëm amerikanë thanë se do të mbyllin llogaritë e tyre në Facebook dhe Instagram për një ditë të vetme, më 16 Shtator, si pjesë e një fushate për të frenuar përhapjen e urrejtjes dhe propagandës në platformat e mediave sociale.
Ndër të famshmit që kanë thënë se do të marrin pjesë në mbylljen njëditore të llogarive, janë aktorët e Hollivudit, Leonardo DiCaprio, Sacha Baron Cohen, Kim Kardashian dhe Jennifer Lawrence.
Kardashian, e cila ka 188 milionë ndjekës në Instagram, ishte e fundit që iu bashkua fushatës.
“Keqinformimi i shpërndarë në mediat sociale ka një ndikim serioz në zgjedhjet tona dhe minon demokracinë tonë”, tha Kardashian në Instagram, më 15 Shtator.
“Unë nuk mund të rri dhe të hesht ndërsa këto platforma vazhdojnë të lejojnë përhapjen e urrejtjes, propagandës dhe dezinformimi – krijuar nga grupe për të mbjellë ndarjen dhe për të ndarë Amerikën”, tha ajo.
Aktorja Kerry Washington, e njohur për rolin e saj në serialin “Skandali” shkroi: “I takon Facebook-ut dhe platformave tjera që të ndalojnë përhapjen e urrejtjes dhe minimin e demokracisë.”
Fushata po organizohet nga “Ndal urrejtjen për përfitim”, një koalicion që i bën thirrje Facebook-ut të ndërmarrë “hapa të arsyeshëm për të adresuar racizmin, dezinformimin dhe urrejtjen e shfrenuar” që shpërndahet në platformën e tij.
Kompania e mediave sociale, që ka 2.7 miliardë përdorues në të gjithë botën, është vënë nën presion nga aktivistë, qeveri dhe kompani që reklamojnë në platformat e saj për veprim më të ashpër për të bllokuar promovimin e diskriminimit, urrejtjes dhe dhunës.
Fushata “Ndal urrejtjen për përfitim” fitoi mbështetjen e qindra kompanive të mëdha në një bojkot të reklamimit në Facebook në muajin korrik.
Facebook raportoi një fitim tremujor prej 5.2 miliardë dollarësh në fund të korrikut, pavarësisht fushatës.
Kreu i kompanisë, Mark Zuckerberg u takua me organizatorët e koalicionit në korrik, por ata u zotuan se do të vazhdojnë të nxisin bojkotin e reklamave duke thënë që gjiganti i mediave sociale nuk kishte arritur të trajtonte përmbajtjen e tillë.
Facebook ka njoftuar se nuk do të lejojë që reklamat e reja politike të shfaqen në platformë një javë para zgjedhjeve, sepse nuk do të kishte kohë të mjaftueshme për t’i kontrolluar ato. /Rel
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...