Skandali i Diddy-t, reperi përballet me 120 akuza të tjera

20:47 | 2 Tetor 2024
E.H

Shkon në 120 numri i njerëzve që akuzojnë reperin e njohur P Diddy për ngacmim seksual.

Një prej të akuzuesve, pretendon se është abuzuar seksualisht nga producenti Sean Combs, kur ai ishte vetëm 9 vjeç.

Tony Buzbee, avokati që përfaqëson palën e akuzuesve deklaroi se 60 prej tyre janë meshkuj dhe 60 janë femra, 25 prej të cilëve ishin fëmijë në kohën që janë abuzuar.

Akuzat kundër Combs mbulojnë një periudhë 31 vjeçare, konkretisht nga viti 1991 deri në 2024.

“Ky lloj sulmi seksual, abuzimi seksual, shfrytëzimi seksual nuk duhet të ndodhë kurrë në Shtetet e Bashkuara apo kudo tjetër”, tha Buzbee në një konferencë shtypi.

Combs, i njohur gjithashtu si P Diddy dhe Puff Daddy, është në pritje të gjykimit për akuzat për trafikim seksual.

Avokatët e Combs ofruan një paketë garancie prej 50 milion dollarësh në këmbim që ai të vendosej në arrest shtëpiak në rezidencën e tij në Florida me monitorim GPS dhe kufizime të rrepta për vizitorët. Megjithatë, deri më tani, kërkesat e ekipit të tij ligjor për lirim me kusht janë refuzuar.

Combs, i cili ka fituar tre Grammy, themeloi Bad Boy Records në 1993 dhe është një nga drejtuesit dhe interpretuesit më të njohur të muzikës në hip-hop./euronews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme