Shfaqje speciale e filmit “Shkrepëtima” nga Petrit Halilaj në DokuFest

15:51 | 19 Korrik 2019
A. B.

Jemi jashtëzakonisht të gëzuar t’ju njoftojmë se filmi Shkrepëtima i Petrit Halilajt do të ketë një shfaqje speciale në DokuFest. Filmi ndjek projektin artistik me po të njëjtin emër i cili ndezi një dritë në komunitetin e fshatit të artistit Halilaj, në Runik.

Filmi do tëketë premierën kombëtare në Lumbardh, me datën 08 Gusht dhe do të përcillet me një diskutim mes Petrit Halilajt dhe kuratorit Leonardo Bigazzi.

Ideuar dhe drejtuar nga njëri ndër artistët më të shquar të Kosovës, Shkrepëtima e Petrit Halilajt u emërua sipas revistës multi-etnike të publikuar nga mësuesit, aktorët si dhe studentët e Runikut në fund të viteve 70 si dhe në fillim të viteve 80.

Shfaqja u mbajt përpara rrënojave të Shtëpisë së Kulturës në Runik (Skënderaj) dhe ishte vazhdim i një hulumtimi të gjerë 6 mujor mbi të kaluarën e Runikut, marrë nga kujtimet personale, socio-historike, dokumente, publikime, burime të gazetave, arkivave të komunës si dhe nga intervista me njerëzit të cilët kanë qenë të përfshirë në jetën kulturore dhe në teatër.

Performanca tri pjesëshe përfshiu aktorë profesionistë,muzicientë, komunitetin lokal si dhe anëtarë të familjes së artistit. Rrënojat e skenës së
teatrit u rigjallëruan nga skulptura lëvizëse, tinguj e zëra, drita si dhe një skenografi ejashtëzakonshme e krijuar enkas nga Halilaj me materiale të gjetura në rrënojat e ndërtesës së teatrit por edhe e inspiruar nga kujtesa kolektive e banorëve të Runikut.

Nata risolli edhe kaëtr fragmente nga drama të shquara shqiptare të cilat dikur qenë performuar në teatrin e Runikut gjatë viteve të 80a.

Shkrepëtima zhgroposi të kalurën neolitike të Runikut, revitalizoi shtëpinë e kulturës së Runikut, frymëzoi komunitetin e saj por mbi të gjitha hapi rrugën drejt iniciativave institucionale të Ministrisë së Kulturës të cilat rezultuan me përfshirjen e Shtëpisë së Kulturës në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.

Projekti u përcoll me një ekspozitë në Zentrum Paul Klee (CH) dhe në Fondazione Merz (IT) ndërsa katalogu që dokumenton hulumtimin, fotografitë si dhe materialet e tjera nga i gjithë projekti do të publikohen nga hopefulmonster.

https://www.facebook.com/180099715689705/videos/511622509611799/?t=0

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme