Rozana Radi i bën vetes një dedikim special për ditëlindje

01:05 | 8 Korrik 2018
Trina Galanxhi

Sa herë afrohet ditëlindja, thuajse të gjithë jemi të prirur për të bërë një bilanc për veten! Kryesisht të atyre arritjeve shpirtërore dhe emocionale, se sa ato materiale, që nuk kanë “peshën” e rëndësisë së veçantë tek gjithsecili prej nesh.

Duket se kështu ka ndodhur edhe me artisten e njohur Rozana Radi. Ajo sot feston ditëlindjen, dhe më shumë se sa të shtojmë ne ndonjë fjalë, ajo i ka thënë të gjitha në një dedikim të gjatë, por shumë të ndjerë për veten në këtë ditë të lindjes. Ajo shkruan:

“Uroj që vitet që kalojnë të mos ma largojnë asnjëherë buzëqeshjen vizatuar në fytyrë. Këtë buzëqeshje që spontanisht shpërthen në portretin tim kur kujtoj që gjërat e thjeshta, më lumturojnë më shumë. Uroj që të jetoj gjithmonë me emocione! Uroj që një ditë të bëhem qytetare e botës. Uroj që të mos e humbas kurrë shpirtin tim të iniciativës. Uroj që të kem zë , zë atëherë kur më duhet më tepër se kurrë. Sepse nuk kemi lindur për të ndejtur ulur, kemi detyrën që të ngrihemi e ta lëmë lirinë të marrë formë nëpërmjet xhesteve tona. Uroj që të kem kurajo. Uroj që ta jetoj në çdo moment jetën time me të gjitha zhgënjimet, gabimet e gëzimet, ta shijoj në çdo qelizë dhe të kem gjithmonë një palë këpucë me taka përpara të cilat të më kujtojnë që mund të arrij gjithmonë aty ku dua. Uroj të kujtohem gjithmonë të vë vehten time në vend të parë, sepse ta vendosësh vehten në vend të parë është pozicioni më i mirë i lumturisë dhe i dinjitetit e nuk do të lejojë askënd të ma ndryshojë këtë mendim as për një palë “këpucë Louboutin. ”Uroj të mos e braktis kurrë fëmijën brenda meje, të njëjtin fëmijë që shumë vite më parë shikohej në pasqyrë e veshur me një fund tutu rozë me dëshirën e madhe për tu rritur, ja tek jam po ajo vajza e vogël që sot ulet përpara një kompjuteri dhe i transformon kujtimet e saj në fjalë. Uroj që të kem shumë kohë. Për të lexuar një libër ndërkohë që jashtë bie shi dhe unë arratisem poshtë kuvertës së krevatit, kohë për të dëgjuar Minen, Celentanon Michael Bublè duke ëndërruar një kërcim me tim atë, të mbyll sytë e të shëndrrohem në një spektatore të jetës sime, të blej një apartament në jug të Italisë, të pi një kafe me time motër, të zhytem në vaskën me qirinj të ndezur anash, të kultivoj pasionet e mia, të konsumoj çokollata shtrirë në divanin e kuzhinës time duke ndjekur komedi Amerikane. Uroj që të gjej lumturinë! Në një përqafim, në dy sy që më shikojnë dhe shkëlqejnë, në një mesazh, në një frazë, në një kujtim në një surprizë të thjeshtë. Uroj që fëmijët e mi nesër të më duan po aq shumë sa i dua unë prindërit e mi dhe pse vite pa i parë”!

Dhe ne, nuk i heqim as presjen! Edhe 100 Rozi!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme