Reperja Rina Balaj ofron shtëpinë e saj në Istog për dy familje nga Shqipëria

14:28 | 27 Nëntor 2019
Arbresh.info

Ajo i takon një prej gjeneratave më të reja të artisteve në estradë, por që pëlqehet mjaft shumë nga publiku për zërin e saj.

Fjala është për këngëtaren Rina Balaj, e cila aktualisht është vetëm 20-vjeçe, por në kohën kur lindi ishte pikërisht lufta në Kosovë dhe për këtë i gjithë vendi ynë ishte strehuar në Shqipëri.

Ndërsa tani, pas kaq shumë vitesh kur populli shqiptar përjetoi një tragjedi tejet të madhe, familja e Rinës ka vendosur që të ofrojë strehim për dy familje në Istog.

Në njoftimin e këngëtares të publikuar në InstaStory, thuhet se familja e saj është e gatshme t’i mirëpret dy familje të prekura nga tërmetet.

“Në vitin 1999 kur unë u linda pra në kohë lufte, familjes time ia hapen derën një familje në Tiranë. Sot prindërit e mi bashkë me gjyshen time me vendbanim në Istog/Kosovë, pranojnë dy familje të prekura nga tërmeti në Shqipëri. Ju lutem kontaktoni në Instagramin tim”, ka shkruar reperja Balaj.

Pos Rinës, strehim për banorët e Thumanës dhe Durrësit kanë ofruar edhe artistë të tjerë si: Genc Prelvukaj, Ledri Vula, Capital T etj.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar për nxjerrjen e personave të gjendur nën rrënoja, si pasojë e tërmetit që goditi vendin orët e para të ditës së djeshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme