Google ADS

Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë shpallë vendimin e jurisë për finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmës” 2020

12:38 | 9 Tetor 2020
A. B.

Juria e çmimit “Artistët e së nesërmës” 2020, e përbërë nga Anne Barlow, drejtore e TATE St Ives, Britani e Madhe, Qëndresë Deda, artiste, fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, Flaka Haliti, artiste, Adam Kleinman, kurator i pavarur dhe shkrimtar, si dhe kurator rajonal për Amerikën Veriore në Fondacionin Kadist Art, dhe Nebojša Milikić, punëtor kulturor dhe menaxher, hulumtues dhe aktivist që punon në Beograd, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmës” 2020.

Juria ka lëshuar këtë deklaratë:

Ne anëtarët e jurisë të çmimit “Artistët e së nesërmës” 2020 kemi pasur kënaqësinë për të shqyrtuar 8 aplikacionet e pranuara nga artistët nga Kosova të cilët kanë aplikuar në konkursin e këtij viti.

Juria së pari i falenderon të gjithë artistët të cilët kanë aplikuar për këtë Çmim, për kujdesin dhe konsideratën e tyre në pregaditjen e dokumentacionit për pjesëmarrje. Pas diskutimeve të gjata, juria ka zgjedhur tre finalistë bazuar në propozimet e tyre premtuese dhe punën egzistuese.

Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se tre finalistët çmimit “Artistët e së nesërmës” 2020 janë Laureta Hajrullahu, Shkamb Jaka dhe Brilant Milazimi.

Juria zgjedhi Laureta Hajrullahun për qasjen e saj poetike ndaj çështjeve kritike të kohës sonë – si marrëdhënjet midis jetës sintetike dhe organike, natyrës dhe civilizimit, dhe qenieve njerëzore dhe teknologjisë – dhe konsideratën se çka sfidat shoqërore ose realitetet e reja që ato i sjellin. Në punën e saj, Hajrullahu i sheh mediat digjitale si tipar përcaktues të jetës bashkëkohore dhe mjet me të cilin mund të zbërthehen kufijtë midis botës fizike dhe asaj virtuale.

Finalisti i dytë është Shkamb Jaka, pikturat e të cilit me forma abstrakte dhe figurative përmbajnë imazhe të koduara që kanë të bëjnë me përvoja reale ose të imagjinuara, ose ato që ai i konsideron si “në mes”. Juria ishte e interesuar për procesin artistik të Jakës që përfshin dekonstruktimin e sjelljeve njerëzore dhe mënyrën e të menduarit dhe më pas “ri-materializimin” e tyre, kryesisht përmes mediumit të pikturës dhe së fundmi, me një masë humori, në film.

Finalisti i tretë është Brilant Milazimi, pikturat figurative të të cilit duken edhe të afërta dhe të frikshme në përshkrimin e tyre të formave të zgjatura njerëzore brenda një hapësire të papërcaktuar ose disi të luhatshme. Duke u bazuar në rrëfime personale dhe kolektive, puna e Milazimit pasqyron një hulumtim të vazhdueshëm të zhvillimit shoqëror dhe politik të shoqërisë civile në Kosovë dhe asaj që ai e sheh si një “psikologji shoqërore” më të madhe të formuar nga sfidat rreth lirisë së shprehjes dhe lëvizshmërisë.

Si juri, të gjithë jemi të ngazëllyer për të parë se çfarë do të krijojnë këta tre finalistë për ekspozitën e finalistëve në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe presim me padurim të shohim punën e tyre në dhjetor kur Juria do të takohet për të zgjedhur fituesin e Çmimit “Artistët e Nesërmes” 2020.

Fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020 do të shpallet me 11 dhjetor 2020 në Klubin e Boksit në Prishtinë, në mbylljen e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së nesërmes” 2020.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë falenderon të gjithë artistët që kanë aplikuar për çmimin “Artistët e së nesërmës” 2020, për punën e tyre të vazhdueshme dhe bashkëpunimin.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë falenderon jurinë për punën dhe bashkëpunimin.

Çmimi “Artistët e së nesërmës” organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. Mbështetësit kryesor të çmimit “Artistët e së nesërmës” 2020 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Zyra e Kryetarit të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë. /arbresh.info/

Të ngjashme