Pse kanë nisur të largohen nga TikToku këngët e Taylor Swiftit e Ariana Grandes?

16:36 | 3 Shkurt 2024
R J

TikToku mund të duket, apo të tingëllojë, pak më ndryshe kur t’i shfletoni materialet në të.

Ditë më parë, kompania muzikore Universal – e cila përfaqëson artistë me nam të madh sikurse Taylor Swift, Bad Bunny dhe Drake – ka thënë se nuk do të lejojë më TikTokun që t’ia transmetojë muzikën që prodhon, pas skadimit të kontratës mes dy kompanive, më 31 janar.

TikToku ka konfirmuar për agjencinë e lajmeve Associated Press se do të largojë muzikën e kësaj kompanie prej platformës.

Largimi i plotë i këngëve do të marrë disa ditë kohë – mirëpo përdoruesit e aplikacionit veçse kanë nisur të vërejnë efektin.

Këngët që do të largohen prej TikTokut janë të licencuara prej grupit Universal – që ka një shtrirje tejet të madhe në industrinë muzikore.

“Universal është korporata më e madhe në historinë e industrisë muzikore”, ka thënë Andrew Mall, profesor i muzikës në Universitetin Verilindor.

“Një numër i pafundmë i këngëve”, do të largohen prej TikTokut, dhe krijuesit në këtë platformë do të përballen me kufizime.

Përdoruesit e TikTokut do të vërejnë shpejt se nuk do të mund të gjejnë më këngë të famshme, përfshirë ato të Ariana Grandes, Justin Bieberit, Billie Eilishit dhe të tjerëve.

Përveç kësaj, përdoruesit nuk do të kenë qasje në mundësinë për të shtuar muzikë në videot e tyre, që janë të licencuara prej kompanisë Universal.

Sipas një zëdhënësi të kompanisë Universal, largimi i plotë i këtyre videove është krejtësisht çështje e TikTokut./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme