Filmi “Exil” i Visar Morinës, regjisorit shqiptar nga Kosova që jeton në Gjermani, këto ditë është temë e shumë shkrimeve në shtypin gjerman. Për të është shkruar edhe më parë në superlativ, por publicitet më i madh po i jepet në veçanti tani për faktin se filmi do të fillojë të shfaqet më 20 gusht në rrjetin e kinemave të Gjermanisë.
Regjisori Visar Morina është i njohur për publikun gjerman dhe atë ndërkombëtar edhe me filmin e tij të suksesshëm “Babai”.
Në vazhdim pjesë nga shkrimet e mediave të ndryshme gjermane, (si Kultur.de; pointer.de etj.) në lidhje me subjektin e filmit “Exil”.
Xhaferi është një inxhinier farmaceutik 45 vjeç, i cili ka lindur në Kosovë dhe tani jeton në Gjermani. Ai është i martuar me gjermanen Nora (Sandra Hüller) dhe kanë bashkë tre fëmijë, transmeton albinfo.ch. Filmi na tregon jetën e tij të përditshme, e cila merr një kthesë për të keq në momentin kur ai gjen një mi të ngordhur në portën e tij.
Ky gjest për të është fare qartë, me motiv racist. Kështu, ai fillon të shohë racizmin prapa të gjitha problemeve të tij dhe gradualisht, me sjelljen e tij paranojake, largon familjen dhe miqtë. A është i arsyeshëm shqetësimi i tij? Apo ndoshta është vetë fajtor për situatën që po kalon?
E gjitha është një udhëtim i errët në mendjen e një njeriu që ndjen se po trajtohet padrejtësisht nga bota që e rrethon. Me këtë rast regjisori Visar Morina dhe ekipi i tij arrijnë të empatizojnë audiencën me këtë njeri.
Rolin e Xhaferit e luan aktori i njohur gjerman me prejardhje kroate, Mišel Maticevic. Ai këtu ka detyrën që dashamirësit mesatarë të kinemasë t`i bëjë të kuptojnë një njeri në një situatë në të cilën ata vetë kurrë nuk do të jenë … Dhe, Maticevic e menaxhon shumë mirë këtë, përcjell albinfo.ch. Ai krijon një realitet të perceptuar të një njeriu delirant, të cilin e kemi të vështirë ta kuptojmë. Gruaja e tij Nora është në një mënyrë në të njëjtën situatë sikur shikuesi.
“Exil” është një projekt ambicioz që adreson në një mënyrë jo konvencionale çështje serioze si racizmi dhe ngacmimi (mobingu). Dilema e ngatërruar në mes të racizmit të vërtetë dhe paranojës e përshkon në fakt gjithë filmin. Dhe duket se vetë regjisori Morina e njeh më së miri këtë fushë: përvojat e tij personale me racizmin që përjetohet në përditshmëri gërshetohen në këtë film, transmeton albinfo.ch. Ai tregon sesi racizmi dhe paranoja shkojnë krah për krah dhe ushqejnë njeri-tjetrin.
Megjithatë, filmit duhet t`i bëhet një vërejtje për faktin se duke qenë në thelb një histori rreth racizmit, bëhet histori që rrezikon të relativizohet. “Exil” nuk është një film për të ndjerë kënaqësi kur ta shikosh. Ai është më shumë një përvojë kërkuese që mund ta bëjë shikuesin të ndihet pakëndshëm. Por kjo është arsyeja pse padyshim ia vlen të shikohet në kinema.
Filmi është bashkëprodhim në mes të Gjermanisë, Kosovës dhe Belgjikës: Titulli origjinal: “Exil”; Drama; D, Bel, RKS 2020; Regjisori: Visar Morina; Skenari: Visar Morina; Aktorët: Mišel Maticevic, Sandra Hüller, Rainer Bock, Thomas Mraz, Flonja Kodheli; distribucioni: Alamode Film. Shfaqja në kinema fillon më 20 gusht 2020. / Albinfo.ch
LDK sot mban Forumin e Rinisë
Kush janë imigrantët që mund t’i prekë plani i Trumpit...
Horoskopi ditor, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj
Analistët: Rebelët sirianë, qasje të ngjashme me Talebanët n...
Moti sot në Shqipëri
Qeveria prezanton programin për parandalimin dhe zvogëlimin ...