Mario fjalim emocionues, mes lotësh e pranon: Jam gay dhe krenar

14:27 | 19 Nëntor 2019
A. B.

Mario Dedivanovic ka emocionuar të gjithë me fjalimin e tij kur mori çmim në “American Influencer Awards 2019”.

Grimeri shqiptar Mario Dedivanovic, i cili tashmë njihet në gjithë botën, ka marrë çmimin “American Influencer Award”.

Para se të ngjitej në skenë, Mario pranoi një video emocionuese nga nëna, babai, vëllai dhe motra e tij, të cilët e bënë me lot.

Teksa pranoi trofeun, grimeri u ngjit në skenë dhe iu drejtua publikut me një fjalim shumë emocionues.

As në skenë, Mario nuk u përmbajt, teksa foli për rrugëtimin e tij përgjatë këtyre viteve, bëri edhe të tjerët në skenë të shpërthejnë në lot.

Fillimisht, Mario falënderoi Kim Kardashian për mbështetjen gjatë gjithë kësaj kohe, më tej tregoi se çfarë i tha e ëma ditë më parë, kur ajo festoi ditëlindjen.

” I thashë më në fund që kisha kaluar gjithë fëmijërinë dhe jetën time duke mbytur mendimet, ëndrrat dhe ndjenjat e mia, duke u përpjekur të jem i padukshëm në mënyrë që askush të mos e dinte si po ndihesha përbrenda, që askush të mos tallej me mua, sepse e dija që kisha lindur ndryshe. Isha i traumatizuar të isha vetja. Kam jetuar me frikë dhe i turpëruar gjithë jetën time”, tha Mario.

Teksa shton se nëna me zemër të thyer ia ktheu “Mario, prej kësaj dite nuk do të jetosh më kurrë me turp e frikë për të qenë ai që je, sepse ti je i bukur, perfekt, i fuqishëm”.

Pasi ka arritur aty ku deshi gjithmonë, Mario thotë se ndihet krenar dhe me kokën lart dhe se asgjë e askush nuk mundet ta shkatërrojë.

Grimeri kishte edhe një mesazh të rëndësishëm për shqiptarët.

“Dua t’iu them diçka të rëndësishme vëllezërve dhe motrave të mia shqiptare. Po ju kërkoj të gjithëve të hapni sytë, zemrën dhe shpirtin, sepse shumë vajza dhe djem në botë po rriten me dhimbjen që unë jam rritur. Mendojnë çdo ditë të vrasin veten, ashtu si unë mendoja. Vetëm sepse janë ndryshe dhe janë të frikësuar të jenë vetvetja, sepse kultura ose familja i gjykon. Janë të frikësuar se fisi ose familja nuk do t’i pranojë sepse kanë lindur ndryshe. Ne nuk jemi ndryshe. Ne meritojmë të jemi të lumtur dhe të ndjejmë dashuri”, janë fjalët e Marios.

Krejt në fund, ai me lot në sy tha se është homoseksual dhe ndihet krenar.

“Sot po e them për herë të parë, unë jam një burrë 37-vjeçar gay. Tani mund të jetoj jetën që meritoj dhe ndihem i lumtur që më në fund mund të jetoj”, përfundoi Mario, teksa të gjithë të pranishmit po duartrokisnin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme