Marin Mema për shpalljen “Non Grata” në Greqi: “Nuk do doja që gazetarëve të tyre ti ndodhte e njejta gjë ”

22:49 | 6 Maj 2019
Trina Galanxhi

Dihet tashmë që prej disa vitesh gazetari Marin Mema, është shpallur nga Greqia si person “Non Grata”, pra që është një person “i padëshiruar” për fqinjët tanë dhe e ka të pamundur që të kalojë kufirin drejt territorit të tyre.

Për këtë janë bërë shkak dy reportazhet që ai ka zhvilluar në tokën greke, njëri prej tyre që trajtonte problematikën e krahinës së Çamërisë.

Mbrëmjen e sotme, gazetari ka qenë i ftuar “Në kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, ku është pyetur në lidhje me detaje të ndryshme nga fëmijët e emisionit. Ndër to ishte pikërisht dhe shpallja “Non Grata” nga Greqia. Në lidhje me këtë temë, Mema tha se në shtetin helen ai konsiderohet si rrezik për sigurinë kombëtare dhe shkak për këtë janë bërë disa të vërteta që ai ka thënë dhe atyre nuk i kanë pëlqyer.

Unë jam rrezik kombëtar në Greqi, prej 7 viteve jam shpallur “Non Grata” dhe kjo masë që është marrë ndaj meje nuk ka një afat të caktuar. E gjitha ka ndodhur pasi unë kam thënë disa të vërteta që atyre nuk i kanë pëlqyer, por nuk do doja që gazetarëve grekë apo serbë ti ndodhte e njeta gjë”- është shprehur Marini, duke shtuar se ne jemi një vend shumë i hapur dhe që do të mirëprisnim këdo: “Shqipëria nuk ka asgjë për të fshehur, jemi një vend shumë i hapur dhe mikëpritës, kemi historinë tonë dhe këtë askush nuk e ndryshon dot.”

Ndërkohë, për autorin e “Gjurmë Shqiptare”, vështirësia më e madhe që ka kaluar në punë ka qenë në kohën kur ka pësuar një aksident gjatë një reportazhi dhe ka thyer këmbën. Kështu, për disa muaj ai ka xhiruar dhe e ka realizuar emisionin me këmbë të thyer, e askush nuk e ka kuptuar. /Blitz.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme