Mali i Zi është rikthyer sivjet në Eurovision pas tri vitesh mos-pjesëmarrje.
Vladana Vuçiniq është këngëtarja e përzgjedhur për të përfaqësuar shtetin malazez në Eurovision 2022, me këngën “Breathe (Frymëmarrje)”.
Artistja e cila është një zë i njohur në Mal të Zi, ka rrëfyer në një intervistë për Telegrafin, emocionet e detyrës që i është besuar, për përfaqësimin e shtetit të saj në këtë garë muzikore.
“Është një nder i veçantë të përfaqësoj shtetin tim dhe një emocion i veçantë të këndoj në skenën më të madhe për një interpretues. Dua që të performoj sa më mirë që mundem dhe t’i transferoj emocionet tek publiku përmes mesazhit dhe zërit tim”, tha Vladana.
Kënga e saj “Breathe” është një baladë e fuqishme dhe tejet e veçantë për artisten, kjo pasi ajo vjen si dedikim për nënën e saj të ndjerë, të cilën e humbi gjatë pandemisë nga virusi famëkeq, COVID-19.
“Unë e shkrova dhe kompozova këtë këngë pasi mamaja ime vdiq nga virusi COVID-19 dhe unë ia dedikova asaj dhe gjithë njerëzve që humbën jetët e tyre dhe mund të ishin ende bashkë me ne sot. Unë nuk dua që ata të jenë vetëm numra”, tha Vuçiniq.
Sigurisht që përgjatë një bisede të tillë, nuk mund të kalonte pa pyetjen se nëse ajo e ka dëgjuar këngën reprezentuese të Shqipërisë në Eurovision 2022, “Sekret” të interpretuar nga Ronela Hajati, si dhe çfarë mendimi ndan për këngëtaren shqiptare.
“E dua Ronelën dhe këngën e saj. Ajo ka kaq shumë energji, dhe kënga është vërtet tërheqëse. Ajo është një femër jashtëzakonisht e fortë dhe është shumë argëtuese, ne u bëmë shoqe sapo u njohëm! Ajo patjetër do të kalojë në finale”, theksoi artistja malazeze.
Mali i Zi ndër vite nuk është se ka pasur shumë fat në Eurovision, pasi finalet për këtë shtet kanë qenë të pakta.
Që nga viti 2015 kur vendi u përfaqësua nga hit-këngëtari Knez, shteti malazez nuk e ka prekur finalen e madhe të Euovisionit, ndaj për Vladanan, kualifikimi për finalen e madhe të 14 majit, do të thoshte mjaftueshëm për të.
“Nëse do të kualifikohesha në finale, do të thotë se kam fituar Eurovisionin. Por do të jetë e vështirë, ka shumë këngë të mira në gjysmëfinalen e dytë”, tha ajo për Telegrafin.
Mali i Zi nuk e ka prekur finalen e Eurovisionit që në vitin 2015, kur u përfaqësua nga Knez me këngën “Adio”
Duke dhënë intervistën e parë ndoshta të saj në Kosovë, Vladana sigurisht që u pyet nëse ka qenë ndonjëherë këtu, duke pohuar se në fakt ka më shumë se një herë që ka vizituar shtetin fqinj.
“Sigurisht, unë kam qenë disa herë në Kosovë ndër vite dhe çdo herë që kam qenë është ndërtuar më shumë”, tha këngëtarja e këngës përfaqësuese malazeze “Breathe”.
Për fund, Vladana pati një mesazh për të gjithë lexuesit e Telegrafit dhe sigurisht fansat e Eurovisionit para se të ngjitet në skenën e madhe të garës evropiane.
“Unë vetëm dua që ata të heshtin për tre minutat e mia dhe të dëgjojnë këngën dhe kjo t’u japë një homazh më shumë se gjashtë milion njerëzve që vdiqën dhe atyre familjeve si e imja që kaluan përmes agonisë së virusit jetë-marrës”, përfundoi Vladana.
Vladana do të ngjitet në skenën e Eurovision 2022 në natën e dytë gjysmëfinale më 12 maj e pesëmbëdhjeta me radhë, me çka të gjithë ata që e pëlqejnë këngën e saj, do të mund ta votojnë me kodin ‘15’, për t’i dhënë kështu asaj biletën drejt finales së madhe.
Eurovision 2022 zhvillohet sivjet në Torino të Italisë, në arenën e madhe të ‘Pala Alpitour’.
Izraeli thotë se një rabin është vrarë në Emiratet e Bashkua...
Edi dhe Xheneta diskutojnë në lavanderi, ndërsa Gjesti i për...
“Serbia nuk luan dot me Kosovën”/ Deputeti gjerman: Bisedime...
“M’u kujtua kjo indiferencë turpshme”, Pacolli p...
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte do të vizitojë...
Driloni-Edit: Nëse e fitoj çmimin, e ndaj me ty