Në Shtetet e Bashkuara ndodhet ish futbollisti dhe kapiteni i kombëtares shqiptare në futboll, Lorik Cana. Ai erdhi në ShBA ditën kur Shqipëria u godit nga tërmeti që shkaktoi shumë vdekje. Tragjedia i ndryshoi misionin në Amerikë. Në vizitën që kishte planifkikuar të festonte për 107 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ai po grumbullon fonde për të ndihmuar të prekurit nga kjo fatkeqësi natyrore. .
Në një intervistë për Zërin e Amerikës ish futbollisti dhe kapiteni i kombëtares shqiptare në futboll, Lorik Cana, e kishte planifikuar ndryshe vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara.
Por pas tërmetit në Shqipëri, qëllimi i vizitës së tij ndryshoi.
“Sigurisht ka pasur anulime të mbrëmjeve, por shoqatat kryesore kanë vazhduar të mbledhin njerëzit me të njëjtin simbol dhe flamur, jo më në formë gëzimi për të festuar, por në formë mbështjeje. Dhe besoj ka qenë mënyra e duhur”, tha Lorik Cana për Zërin e Amerikës.
Të pranishmit në mbrëmjet shqiptare, iu përgjigjen thirrjeve të tij për të ndihmuar financiarisht të prekurit e tërmetit.
“Kemi mbledhur më duket diku rreth 50-60 mijë dollarë, vetëm në mbrëmjen e parë. Dhe ne i kemi inkurajuar njerëzit që të vazhdojnë dhe të japin donacione në këto ditë dhe në javët në vijim aq sa munden”, tha ai.
Futbollisti Cana u bën thirrje të gjithë grumbulluesve të donacioneve, që të kenë shumë kujdes në menaxhimin e tyre.
“Duhet t’ua çojmë amanetin deri në fund sepse në fund të fundit është një detyrë morale, është një detyrë shpirtërore dhe nuk luhet me momente të tilla”.
Ai nuk beson se do të abuzohet me mjetet e grumbulluara, por preferon që të sigurohet se ato do të përfundojnë në duar të nevojtarëve.
“Ne me fondacionin dhe me shoqatat këtu në Amerikë do evidentojmë shtëpi, ose do të evidentojmë shkollë ose kopsht që do të ketë nevojë për rindërtim dhe do t’a bëjmë drejtëpërdrejtë me fondacionin tim”.
Ylli i kombëtares shqiptare në futboll thotë se populli shqiptar duhet të nxjerrë mësime nga kjo tragjedi.
“Unë jam shumë i bindur që do i ndihmojmë njerëzit, do t’i rindërtojmë dhe do të ringrihemi. Në momente të vështira e kemi dëshmuar këtë. Kemi ruajtur identitetin dhe gjuhën tonë. Problemi tek ne shqiptarët qëndron tek momenti kur gjendja qetësohet, rikthehet një llojë normaliteti. Gjithë fokusi për të ndërtuar shoqërinë tonë mbarë-kombëtare, humbet, sepse atëherë ne fillojmë të mendojmë vetëm si individ, vetëm si grupacione dhe vetëm si parti politike”, tha Cana për Zërin e Amerikës.
Mesazhi i tij në këtë intervistë për Zërin e Amerikës është që fryma bashkëpunuese të shoqërojë shqiptarët, kurdo dhe kudo që ndodhen.
“Dashuria për vendin, dashuria për të ndërtuar një shoqëri, dashuria për të investuar tek gjeneratat që do të vijnë, nuk është diçka e cila fiket dhe ndizet. Është sikur besimi ndaj Zotit. Besimit ndaj Zotit nuk mund t’i kthehemi vetëm kur gjendja është e vështirë, kur jemi të sëmurë, kur kemi fëmijë të sëmurë, kur ndodh një tragjedi, kur humbim një person. Besimi ndaj Zotit është për çdo ditë. Duhet të falenderojmë zotin çdo ditë, duhet të besojmë Zotin çdo ditë, atdhedashuria është njësoj. Ne nuk mund të ndezim pjesën e atdhedashurisë vetëm në momentin e tragjedisë, sepse në shumë raste ajo që na çon deri në këto ngjarje është pikërisht sepse gjatë rrugës nuk i bëjmë gjërat e duhura”, tha ai gjatë vizitës së tij në Michigan.
Ashtu sikur Lorik Cana, edhe personalitete tjera të njohura të sportit e kulturës kontribuan për grumbullimin e fondeve për të prekurit e tërmetit.
Peci: Në 2024 janë ndarë 89 milionë euro grante e subvencion...
Murati dhe ATK prezantojnë performancën e vitit 2024 në konf...
Konfirmohet rasti i patë i Lisë së majmunëve në Kosovë
IKD: Procesi për përzgjedhjen e kryeprokurorëve-kryesisht me...
Rama me magjinë e rrugës për në Kolonjë, uron një ditë të mb...
Guterres: Bombardimet e Izraelit në Jemen janë jashtëzakonis...