Në vitin 2014, lehtësimi i klauzolave të Ligjit britanik të Sekreteve, e lejoi një familje që kishte qenë gjithmonë kureshtare mbi angazhimin e gjyshit gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërorë, që të zbulonte se ai ishte në fakt një agjent sekret në jetën reale.
Një profesion mjaft intrigues, aq më tepër për një njeri të quajtur pikërisht James Bond. Stefën Filips, nipi i James Çarls Bond, pati mundësinë që shihte me sytë e tij dokumente dikur të klasifikuara si tepër sekrete, në të cilat ai zbuloi për habinë e tij të madhe, se gjyshi i tij ishte një oficer i shërbimit inteligjent britanik, dhe një anëtar i Ekzekutivit të Operacioneve Speciale (SOE) gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Që në moshë të re, Filips thotë se mban mend që e gjithë familja ishte paralajmëruar nga autoritetet, të mos e pyeste gjyshin e tij mbi shërbimin e kryer në kohën e luftës. Gjithsesi Filips thekson se nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend që gjyshi i tij, James Bond, të kishte shërbyer në një grupim kaq elitar të shërbimeve britanike të sigurisë.
James Bond, nga Suonsi i Uellsit Jugor, ishte para luftës një punëtor në një uzinë të përpunimit të metaleve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe 6 vjet pas saj, ai punoi për llogari të shërbimit sekret SOE. Filips gjeti në dosjen e deklasifikuar, kopjen e një njoftimi të nënshkruar nga gjyshi
i tij më 3 qershor 1944, vetëm 3 ditë para zbarkimeve të D-Day në plazhet franceze të Normandisë.
Filips supozon se në atë kohë gjyshi i tij, ishte duke punuar pas linjave të armikut. Edhe më befasues është fakti, që James Bondi i vërtetë punoi nën urdhrat e Jan Fleming, shumë kohë para se ky i fundit të bëhej shkrimtar, dhe të fitonte famë me personazhin e tij të mirënjohur tashmë, që mban të njëjtin emër.
Në kohën e luftës, Fleming ishte kreu i Inteligjencës Detare Britanike, dhe kishte për detyrë të ruante të gjitha sekretet. Ai ishte trajnuar si një operativ i SOE, dhe do të ndërmerrte misione të ngjashme me ato të kryera nga James Bondi i vërtetë.
Një tjetër dokument i deklasifikuar, tregon se në vitin 1942, Jan Fleming mblodhi një ekip operativësh të SOE dhe se midis tyre ndodhej edhe James Çarls Bond. Fatkeqësisht, detajet e atij operacioni janë ende të klasifikuara.
Jan Fleming pretendonte gjithnjë se personazhi i tij, Xhejms Bond, ishte emëruar sipas një ornitologu amerikan, dhe se ai e kishte zgjedhur atë emër për shkak të thjeshtësisë në shqiptim. Por Filips është i intriguar me të drejtë nga lidhja midis gjyshit të tij dhe Jan Flemingut, shërbimit që ata kryen bashkë gjatë luftës, dhe jetën e super-spiunit në librat e këtij të fundit.
Ai beson se historia me ornitologun amerikan, ishte një taktikë devijuese e përdorur enkas nga Flemingu për të mbrojtur James Bondin e vërtetë, duke respektuar kësisoj edhe klauzolat tepër të rrepta të Ligjit të Sekreteve Zyrtare.
Ekziston një legjendë familjare, sipas të cilës Jamess Bond i tha dikur mbesës së tij, Xhenit, se ai ishte në fakt Xhejms Bondi i vërtetë, që shfaqej në libër dhe në filma. Por për këtë gjë nuk është thënë asgjë më shumë, dhe askush nuk dyshoi se në atë rrëfim mund të kishte diçka të vërtetë.
Pasi i shërbeu vendit të tij për 11 vjet, James Çarls Bond u largua nga ushtria, dhe rinisi sërish punën në uzinën e metaleve. Pasi u tërhoq nga kjo industri, ai u angazhua për disa kohë në disiplinimin e trafikut të automjeteve para shkollave në Laugor, një qytet afër Suonsit.
Filips po kërkon nga cilido që ka shërbyer me gjyshin e tij, që të kontaktojë me të. Ai do të donte të zbulonte më shumë se çfarë ka bërë gjyshi i tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithçka që di ai deri më tani janë dokumentet e deklasifikuara, dhe një fotografi e vitit 1937 e një burri shumë të pashëm, me flokë të errët, i veshur me një kostum.
Ajo foto është e gjyshit të tij, por mund të jetë një foto publicitare e James Bondit tjetër. James Çarls Bond vdiq në vitin 1995 në moshën 89-vjeçare, pa ia zbuluar kurrë të shkuarën e tij interesante anëtarëve të familjes së tij. Ky zotëri, u betua seriozisht para eprorëve për respektimin e Ligjit të Sekreteve Zyrtare, dhe nuk u rrëfeu asnjëherë të afërmve se në çfarë misionesh kishte marrë pjesë gjatë ose pas luftës./tring
Treqind euro për 50 metra katrorë: Faturat e Termokos-it “ng...
Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndi...
Mali i Zi vendos ta ekstradojë në SHBA “mbretin e kriptovalu...
Ndahen pagat për shërbyesit publikë, si dhe shtesat për fëmi...
KQZ-ja hap thirrjen për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhj...
Zelensky: Ukraina do ta ndihmojë Sirinë