Google ADS

Iu zbulua lidhja me Redjan Rrajën, çfarë deklaronte Kejvina Kthella në media për partnerin

22:03 | 9 Nëntor 2019
Trina Galanxhi

Një tjetër vajzë ekrani takohet me botën e krimit dhe kësaj here fjala është për Kejvina Kthellën, të cilën po e shohim të hënave në ekran si kërcimtare e spektaklit të VIP-ave, “Dance with me”.

Një javë pas atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoja, që ndodhi pasditen e së premtes së kaluar te mbikalimi i Shkozetit, janë zbuluar detaje të reja lidhur me ngjarjen, por edhe me personin e vetëm që është arrestuar deri tani si i akuzuar për atentatin, Redjan Rraja.

Burime nga Policia bënë të ditur për “Balkanweb” se u mor në pyetje mikesha e personit të arrestuar si autor i dyshuar i atentatit, Redjan Rraja. Fjala ishte për modelen dhe ish-velinën e programit “Xing me Ermalin”, Kejvina Kthellën, një nga vajzat e njohura të showbizzit shqiptar, edhe për stilin e jetës që reklamon në rrjetet sociale. Hetimet kanë zbuluar se modelja e njohur kishte miqësi me Redjan Rrajën, i arrestuar pak ditë më parë në Pikën Kufitare të Hanit të Hotit, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Burime policore thanë se Kthella kishte bisedime të shpeshta telefonike me 34- vjeçarin Rraja.

Mes Kejvinës dhe Redjanit, i njohur ndryshe si “Dara” i Krujës, ka komunikime të shpeshta, ndërkohë që mësohet se Kejvina kishte në përdorim një makinë superluksoze, që është në pronësi të tij.

RRËFIMI I KEJVINA KTHELLËS PËR PARTNERIN: AI DUHET TË KETË MË SHUMË PARA SE UNË

Nuk e dimë se çfarë marrëdhënieje ka pasur mes Rrajës dhe Kthellës, por kur është pyetur për jetën private dhe shoqërinë me djem, Kejvina është treguar gjithnjë e kujdesshme. Me të njëjtën strategji u është përgjigjur edhe ngacmimeve të prezantueses në spektaklin “Dance with me” kur u pyet për jetën private, duke e lënë të paqartë faktin nëse është e lidhur apo jo. Po cila ka qenë jeta private e Kejvina Kthellës jashtë kamerave dhe a ka një partner, ishin pyetjet që i bëheshin shpesh Kejvinës gjatë karrierës së saj të shpejtë në televizionet shqiptare.

Pasi mohoi lidhjen me futbollistin e Kombëtares, Bekim Balaj, la të kuptohej se ajo nuk donte të fliste me emra të përveçëm sa i takonte jetës private dhe ndoshta për këtë kishte arsyet e saj.

Po ç’rrëfeu ajo së fundi në ekran? 

E ftuar në emisionin “Mos i fol shoferit” para dy javësh, ish-velina tregoi se si duhet të ishte një mashkull që të rrinte në krahët e saj. Një gjë është është e sigurt, që partneri ideal i Kejvina Kthellës, modeles që para dy ditësh doli para grupit hetimor sepse emri i saj doli në mesazhet e Redjan Rrajës, është një person që duhet të ketë më shumë lekë sesa ajo.

Ndër të tjera, Kejvina theksoi se s’ka shanse ta mbajë njeri me sufllaqe, por që partneri i saj ideal duhet të ishte një djalë në karrierë e që të ketë më shumë para se ajo. Në bisedë e sipër, ish-velina bëri edhe një gafë teksa ngatërroi profesionin e një bankieri, me atë të banakierit.

Pyetjes: “A është e rëndësishme që partneri yt të ketë më shumë lekë sesa ty, apo do ta mbash ti, ta mbash me sufllaqe e kështu…”, ajo iu përgjigj:

“Jo, jo e pra… ç’e dua ta mbaj unë….Do të doja që të ishte në karrierë dhe automatikisht, nëse do jetë në karrierë, ka lekë”. Rudina Dembacaj e ngacmoi: “A quhet karrierë kur merresh me kështu (drogë)?” dhe Kejvina iu përgjigj: ”Jo, ajo nuk është karrierë”. Më tej, Rudina e ngacmoi: “Ok, iku një, ata që merren me kështu s’kanë shanse me Kejvinën….P.sh., do martoheshe me një bankier? – Kush, ai që bën koktejle?”. Jooo, ai është banakier, bankier është ai që punon në bankë”.

Dhe përgjigjja e Kejvinës ishte e gjatë:

“Po, super…Shiko, të tregohem më e qartë, mirë do ishte që ai të ketë lekun e vet, unë timin….por më mirë do ishte të kishte më shumë lekë sesa unë, e kupton?

Do jetojmë të lumtur gjithë jetën….” Modelja dhe ish-velina e “Xing me Ermalin” përfundoi në Prokurori ditën e djeshme dhe iu sekuestrua telefoni, pasi në tabulatet e marra nga celulari i Rrajës, Kthella ishte një ndër personat që 34-vjeçari me pseudonimin “Dara” komunikonte më shpesh. Kujtojmë që Kejvina u largua mes lotësh nga “Xing” sezonin e kaluar, një lajm i dhënë nga show televiziv, që njoftonte se Kejvina nuk do të ishte më pjesë e programit të të shtunave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme