Barrikada metalike dhe blloqe të mëdha betoni janë vendosur përreth Arenës së Malmos, qytetit suedez që mikpret Festivalin Europian të Këngës-Eurovision 2024. Policia vendase mbështetet në këtë aksion nga kolegët danezë dhe norvegjezë.
Përfaqësuesja e Izraelit, Eden Golan, e cila performoi në skenë me këngën e saj “Hurricane” (Uragani) u kualifikua për finalen e Eurovisionit.
Ndërkohë që në Arenën e Malmos këngëtarët konkurrojnë me njëri-tjetrin më shumë se 10 mijë vetë, mes tyre edhe aktivistja në mbrojtje të klimës Greta Thunberg, u tubuan kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision.
Flakadanë me ngjyrat e flamurit të Palestinës
Edhe pse policia deklaroi se marshimi përmes qytetit ishte “i qetë”, demonstruesit ndezën flakadanë me ngjyrat e flamurit të Palestinës gjatë tubimit të zhurmshëm, ku pjesëmarrësit përsëritën pa pushim sloganin “Nga lumi e deri në det, Palestina do të jetë e lirë” si dhe “Izraeli, shtet terrorist”, duke bërë thirrje për armëpushim në Gaza.
Festivali pretendon se është apolitik
Më herët, qeveria izraelite i paralajmëroi qytetarët e saj duke shprehur një “shqetësim real” se ata mund të viheshin nën shenjestër dhe se Eden Golan mund të refuzohej nga audienca gjatë performancës së saj.
Bashkimi Europian i Radiotelevizioneve Publike (EBU), i cili organizon konkursin mbarëkontinental të pop-it, vendosi të lejojë Izraelin në garë, pavarësisht muajsh të tërë kundërshtimesh ndaj pjesëmarrjes së tij, në pikun e luftës Izrael-Hamas.
Gjithsesi këngëtarja Golan u detyrua të ndryshojë titullin dhe vargjet e këngës, para se të lejohej të garonte. Fillimisht kënga titullohej “October Rain”, (Shiu i tetorit), duke iu referuar sulmit të 7 tetorit të Hamasit ndaj Izraelit, sulm i cili ndezi luftën aktuale.
EBU pretendon se Eurovision është apolitik, por kritikët risollën në vëmendje përjashtimin e Rusisë nga gara gjatë pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Po ashtu një vit më parë edhe Bjellorusia u përjashtua për shkak të historikut të saj me të drejtat e njeriut dhe lirinë e shtypit. Në garën e këtij viti ndalohet gjithashtu shfaqja e flamujve palestinezë./DW
Tahiri: Kosova në izolim, pa agjendë diplomatike përveç taki...
Kurti: S’kemi mosmarrëveshje me Maqedoninë e Veriut, bashkëp...
Fermerët francezë në protesta mbi marrëveshjen tregtare BE-M...
Kurti: Nga 1 janari do të kemi pikëkalime të përbashkëta kuf...
Mickoski: Bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliar...
Takimi ndërqeveritar, Kurti: Partnerë të lidhur jo veç prej ...