Gjashtë muaj burg për këngëtaren e njohur shqiptare

13:56 | 6 Maj 2017
Arbresh.info

Një konflikt pronësie është bërë shkak i një maratone problemesh për këngëtaren e njohur shqiptare Eda Zari. Mamaja e saj, Zhane Zari, deklaroi publikisht se këngëtarja kishte marrë të gjitha pronat e familjes duke falsifikuar dokumentet pas vdekjes së babait të saj, Ismail Zari. Akuzat, që asokohe bënë bujë në media, u shoqëruan me një përballje nënë e bijë, që sipas Zhane Zarit, degjeneroi me dhunë.

Pas këtij episodi, këngëtarja e njohur Eda Zari është paditur në Gjykatën e Tiranës për dhunë ndaj mamasë, e cila ka kërkuar edhe lëshimin e urdhrit të mbrojtjes. Kërkesa është regjistruar më datë 10 maj të vitit të kaluar dhe tashmë procesi gjyqësor ka përfunduar. “Bluetooth” i “Gazetës Shqiptare” ka arritur të sigurojë vendimin e gjykatës, i cili ka shpallur fajtore Eda Zarin, për akuzën “Dhunë në familje” dhe e ka dënuar atë me 6 muaj burg.

Pas një procesi të gjatë dhe shqyrtimin e të gjitha pretendimeve të palëve, gjykata vendosi: “Deklarimin fajtore të së pandehurës E.I. Z. për veprën penale të dhunës në familje dhe në bazë të Nenit 130/a/1 të Kodit Penal dënimin e saj me 6 (gjashtë) muaj burgim. Vuajtja e dënimit i fillon të pandehurës nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në burg të sigurisë të zakonshme. Shpenzimet e kryera gjatë hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore, në ngarkim të të pandehurës. Kundër vendimit lejohet ankim brenda 10 ditëve duke filluar nga e nesërmja e shpalljes në Gjykatën e Apelit Tiranë”. Nuk dihet nëse Eda Zari e ka apeluar vendimin e Shkallës së Parë apo ka vendosur të vuajë dënimin, sipas vendimit të gjykatës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme