“Game of Thrones” për herë të katërt më e mira në Emmy

21:25 | 23 Shtator 2019
Trina Galanxhi

Sezoni i tetë i serisë “Game of Thrones” ka fituar në ceremoninë e 71-të ndarjes së çmimeve Emmy në Microsoft Theater në Los Angeles. Seriali i HBO-së, i bazuar në veprat e George R.R. Martin u shpall seriali më i mirë dramë për herë të katërt.

Edhe pse seria kryesoi me 32 nominime rekorde, ajo i ka fituar gjithsej 12 Emmy (që nga viti 2015).

Këtë vit, seria fitoi në kategoritë e serisë më të mirë dramë dhe aktorit më të mirë mbështetës (Peter Dinklage).

Pati shumë që u befasuan nga seriali ‘Fleabag’, i cili fitoi çmime në kategoritë e komedisë më të mirë dhe aktores më të mirë në zhanrin komedi (Phoebe Waller).

Vëmendje të madhe tërhoqi fitorja e aktorit Billy Porter (50) i cili u bë homoseksuali i parë me ngjyrë që e fitoi një Emmy për aktorin më të mirë në serialin dramë ‘Pose’.

Çmimi për aktoren më të mirë i takoi Jodie Comer (26) për ‘Killing Eve’, ndërsa atë për regjisorin më të mirë për serinë dramë e fitoi Jason Bateman (50) për ‘Ozark’, shkruan KOHA Ditore. Seriali i ri i Netflixit fitoi edhe në kategorinë e aktores më të mirë mbështetëse (Julia Garner).

Producenti Jesse Armstrong (47) e fitoi çmimin për skenarin më të mirë për serialin dramatik ‘Succession’, ndërsa konkurrencë e kishte regjisorin Don Roy King (71) i cili në fund u shpall regjisori më i mirë për ’Saturday Night Live’ në kategorinë e serisë ‘Variety/talk’.

Seriali më i mirë ‘Variety/talk’ u shpall ‘Last Week Tonight with John Oliver’, i cili gjithashtu e fitoi çmimin për skenarin më të mirë në të njëjtën kategori.

Siç supozohej, mini-seriali më i mirë doli ‘Chernobyl’ i cili e fitoi çmimin edhe për skenarin më të mirë për një mini-seri. Sa u përket aktorëve më të mirë, çmimi për aktoren më të mirë në të njëjtën kategori iu dha Michelle Williams (39), ndërsa aktori më i mirë u shpall Jharrel Jerome (21).

Gjithashtu, në kategorinë e aktorit më të mirë mbështetës në mini-seri fitoi Ben Whishaw (38), ndërsa titulli i regjisorit më të mirë në atë kategori i takoi Johan Renck (52).

Njëjtë si tek Oscar, në ndarjen e sivjetme të çmimeve televizive Emmy nuk pati prezantues. Për herë të fundit kjo ka ndodhur në vitin 2003.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme