Dua Lipa ishte ndier e ofenduar pas kthimit në Kosovë

13:00 | 15 Prill 2018
Arbresh.info

Dua Lipa ka rrëfyer kushtet në të cilat familja e saj kishte vendosur të kthehej në Kosovë.

Në një intervistë për gazetën prestigjioze britanike “The Guardian” Dua ka thënë se ishte vendim i prindërve të saj kthimi në Kosovë kur ajo ishte vetëm 11 vjeç pasi babait të saj, Dukagjin Lipës atë kohë i ishte ofruar një punë e mirë në vendlindje.

22 vjeçarja ka treguar se në fillim ishte ndier e entuziazmuar që do të kthehej në vendin prej nga vinte dhe do të takonte të afërm që s’i kishte parë asnjëherë, transmeton Arbresh.info.

Mirëpo kur ishte kthyer ishte ndier e ofenduar.

Kjo pasi, kur kishte filluar të shkonte në shkollë në Kosovë, nxxënësit e tjerë ishin shumë më përpara në mësime, në matematikë dhe në shkencë.

“Ishte absolutisht ofenduese. Më kujtohet dita e parë e shkollës. Të gjithë ishin shumë përpara në matematikë dhe në shkencë. Kam pasur nota shumë të dobëta, sidomos në gjashtë muajt e parë. Mund të flisja shqip mirëpo nuk dija të lexoja ose të shkruaja”, ka deklaruar Lipa.

Pavarësisht kësaj, ajo ka thënë se hapat e parë të muzikës i ka marrë pikërisht në Kosovë ku kishte filluar të dëgjonte këngëtarët e mëdhenj prej të cilëve është inspiruar si Snoop Dogg, Method Man, Pink, Nellu Furtado etj.

Mirëpo Dua e kishte kuptuar herët që në Kosovë nuk do të mund të arrinte asgjë dhe për këtë kishte vendosur të kthehej në Londër ku pas disa vitesh punë ka arritur që sot të jetë një prej emrave më të përfolur të muzikës në botë./Arbresh.info.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme