Google ADS

Dr Dre mund të humbë qindra miliona dollarë nga shkurorëzimi

18:46 | 5 Gusht 2020
Arditë Shkodra

Dr Dre mund të humbë shuma të majme parash në procesin e shkurorëzimit nga bashkëshortja e tij, Nicole Young, e cila thekson se është detyruar ta nënshkruajë një marrëveshjeje paramartesore.

Ikona e hip-hopit, emri i vërtetë i të cilit është Andre Romelle Young, ka njoftuar në muajin qershor se ai dhe gruaja e tij po ndahen pas 24 viteve martesë.

Mirëpo, tash raportohet se reperi mund t’i humbë miliona dollarë, pasi Nicole ka thënë se është detyruar ta nënshkruajë marrëveshjen paramartesore në vitin 1996 dhe më vonë Dre është penduar dhe e ka shqyer atë.

Në dokumentet e siguruara nga TMZ, gruaja e reperit ka theksuar se ai kishte hequr dorë nga marrëveshja paramartesore dhe është ndier i turpëruar për veprimet e tij, prandaj e ka shqyer duke mos dashur që lidhja e tyre të kishte kufizime financiare.

Mirëpo, burimet pranë 55-vjeçarit kanë mohuar gjithçka që ka thënë Nicole. Sipas tyre, ai nuk është ndier asnjëherë i turpëruar për kontratën paramartesore dhe se akoma e posedon atë.

Dre është shprehur i gatshëm ta paguajë mbështetjen bashkëshortore dhe të gjitha shpenzimet e Nicole, mirëpo 50-vjeçarja dëshiron shumë më tepër para duke theksuar se reperi e ka bërë gjithë pasurinë gjatë martesës së tyre.

Madje, Nicole (e cila është avokate me profesion) ka kërkuar nga gjykatësi që t’i trajtojë si dy çështje të ndara, periudhën e martesës dhe kontratën paramartesore të çiftit.

Dre dhe Young u martuan në vitin 1996 dhe kanë dy fëmijë bashkë, të moshave 23 dhe 19 vjeç, që do të thotë se mbështetja dhe kujdestaria e fëmijëve nuk është pjesë e procesit të shkurorëzimit.

Gruaja e reperit konsideron se ai ka pasuri prej një miliard dollarësh, mirëpo Forbes ka vlerësuar se pasuria e Dr Dre është 800 milionë dollarë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme