Dorina Gegiçi tregon se si e joshi Gabbana­n

10:29 | 24 Gusht 2015
Arbresh.info

Dorina Gegiçi është një nga modelet që ka tërhequr vëmendjen jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë. E angazhuar që në moshën 14­vjeçare në modeling, tashmë Dorina numëron disa eksperienca, mes të cilave, si më të veçantën dhe të rëndësishmen konsideron shfaqjen në faqet e revistës prestigjioze “Vogue Italia”.

Sidoqoftë, kohëve të fundit Dorina ka para vetes një mundësi vërtet të rëndësishme. Modelja ka tërhequr vëmendjen e stilistit të njohur Stefano Gabbana, i cili ka publikuar në “Instagram”­in e tij një foto të modeles. Por, me sa duket gjërat nuk kanë përfunduar këtu, pasi siç thotë Dorina në intervistë, “ky mund të jetë veç një fillim i mbarë”. Në intervistën për “Summer Pages”, modelja tregon për ambiciet, pasionin për modelingun, çfarë e ka shtyrë të ndiqte këtë rrugë, mendimin për Armina Mevlanin dhe sa e ndihmon bukuria në marrëdhëniet me meshkujt.
Dorina, arrite të bëheshe e njohur në Shqipëri e jashtë saj në një kohë shumë të shkurtër. Si ndihesh për këtë?
Po punoj drejt pasionit tim. Uroj të arrij këto që thoni ju, por gjithsesi shoh një rrugë të gjatë para meje.

I ka plotësuar fama apo popullariteti pritshmëritë e tua?Është ashtu siç e kishe menduar?
Fama dhe popullariteti nuk janë tani në vëmendjen time. Mendoj që Shqipëria është shumë e vogël, dhe kjo mbase arrihet thjesht. Ajo çka unë synoj dhe kam pritshmëri është të kem një punë të vërtetë si modele, pasi për momentin ky është pasioni im.

Je angazhuar në modeling që në moshën 14­vjeçare. Çfarë të bindi se duhej ta shihje veten patjetër në pasarelë?
Mendoj që ka qenë fiziku im që bindi si fillim profesionistët, pasi unë, më shumë se bindje që mund të jem e përshtatshme për këtë gjë, edhe asokohe më udhëhiqte pasioni.

Gjatë gjithë eksperiencave të deritanishme, cilën do të veçoje si më interesanten?
S’di të veçoj asnjërën, pasi të gjitha kanë pasur emocionin e vet, por edhe prezenca im në “Vogue Italia” më ka bërë të ndihem shumë mirë.

Ditët e fundit, një foton tënde ka shpërndarë edhe stilisti i famshëm Stefano Gabbana; si ra në kontakt Gabbana me ju?
Stilisti i mirënjohur, pasi pa fotot e mia të fundit, ku unë isha veshur me koleksionin e fundit të “D&G”, e mori foton nga fotografi Endrit Mërtiri dhe e shpërndau në “Instagram”­in e tij personal. Natyrisht që u ndjeva e vlerësuar, pasi jo çdo modeleje i ndodh të tërheqë vëmendjen e stilistit.

Çfarë do të thotë për ty të jesh modelja e preferuar e “Dolce & Gabbana”?
Për një modele, është e rëndësishme të pozojë e të preferohet nga marka të mëdha. Uroj të jetë ky veç një fillim i mbarë!

Cilat janë ambiciet e një modeleje të suksesshme me një të ardhme premtuese?
Të kap tregun ndërkombëtar, aty ku vlerësohet në të gjitha aspektet ky profesion dhe mund të kesh një karrierë të mirëfilltë. Edhe Armina Mevlani ka tërhequr vëmendjen e Gabbana­s.

Mendon se për të prezantuar këtë firmë je më mirë ti apo ajo?
Nuk jam personi i duhur për ta thënë këtë, por dua të them vetëm që jam e lumtur që imazhet shqiptare po vlerësohen çdo ditë e më shumë.

Cilat janë impenjimet më të afërta në modeling?
Kam projekte për jashtë vendit, por çdo gjë në kohën e duhur.

Ku e sheh veten pas 5 vitesh?
S’e kam menduar.

Shumë modele shqiptare kanë një karrierë të suksesshme në SHBA; synoni dhe karrierë në New­York?
Tregu ndërkombëtar është synimi i çdo modeleje, por nuk dua të flas para kohë, siç ndodh rëndom në Shqipëri.

Cilat janë avantazhet e të qenit modele?
S’e di, pasi është pasioni im.

Po disavantazhet?
Uroj të mos ketë.

Ta lehtëson pamja e jashtme punën me meshkujt?
S’di ta them këtë, pasi për momentin jam e fokusuar në punën time, por besoj që pamja është një gjë e mirë, por në raport besoj gjithçka është përtej saj.

Për momentin, je në kërkim të dashurisë?
Jo.

10481685_520357328099738_2648158255469074730_n 936094_507348029400668_9115340985350467089_n

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme