Pas publikimit të lajmit se Eda Zari është ndëshkuar me burg pasi ushtroi dhunë mbi të ëmën, këngëtarja është kundërpërgjigjur me një ese të gjatë ku shpreh hapur mllefin ndaj gazetarisë shqiptare.
Në shkrimin e botuar tek “Peizazhe të fjalës”, Zari thotë se nuk ka dëshirë të mohojë apo të replikojë për vërtetësinë e lajmit, megjithatë revolta e saj mund të kuptohet si një kundërpërgjigje e ashpër karshi një lajmi të pavërtetë. Gjatë esesë, Eda Zari tregon se e ëma vuan nga sëmundja e Azheimer-it dhe thekson se, sikur vërtet njerëzit të ndienin keqardhje për të, do të ishin krijuar kushtet që të mos i duhej ta trajtonte jashtë, në mungesë të kurave këtu.
Më 6 maj, mediat publikuan një dokument i cili sipas “Gazetës Shqiptare” vërtetonte dënimin e Eda Zarit me 6 muaj burgim pas dhunës ushtruar ndaj mamasë. Këngëtarja argumenton se publikimi i një dokumenti të tillë është krejtësisht i panevojshëm, duke qenë se nuk i shërben asnjë kauze sociale apo politike. Eda Zari e trajton rastin e lajmit të saj në një kuptim më të përgjithshëm, duke e parë mungesën e etikës së gazetarëve si një problem që ka zënë rrënjë në keqfunksionimin e gjithë medias shqiptare, që me pretekstin e “fjalës së lirë” ndërhyn pa të drejtë ligjore edhe në të dhënat private të individëve.
“Ajo që ndiej me dhembje është angazhimi dhe gatishmëria e mediave për thepe lajmesh, për skupe, ku Kodi i Etikës zëvendësohet me Kodin e Xhunglës, kurse ligjet e vendit zbatohen me dy standarde. […]”, shkruan Eda Zari. “Kthehem dhe pyes gazetarët, punonjësit e mediave në Shqipëri, a e njohin moralin e fabulës: “Mos fajëso karrocierin, kur pranon të bëhesh kalë?” Kësisoj, në fund të muajit, mos pyesni më: Si ndodhi që u bënë tre muaj pa marrë rrogat? Ky është rezultati i fjalës së lirë në Shqipëri, për të cilën duhet trumbetuar me kujë, si dhe të solidarizoheni me kolegët tuaj që pushohen nga vendi i punës, nga drejtimi i emisioneve televizive apo çfarëdo pozicioni tjetër, thjesht sepse duan të jenë profesionistë, të jenë shembull i një gazetarie të shëndoshë! Kur gazetari punon në kushtet e pasigurisë ekonomike, pa kontratë pune, gjëja e fundit që i shkon në mendje është profesionalizmi apo Kodi i Etikës!”
Më tej, flet për reagimin e njerëzve në rrjetet sociale për lajmin, duke thënë se nuk i intereson të ndiejë “dhembshurinë apo empatinë sipërfaqësore të askujt”. Eda Zari thotë se shoqëritë që kujdesen për “hallet e huaja” janë ato me njerëz që nuk arrijnë të merren me “nevojat, hallet dhe kujdesin ndaj vetes.”. Këtë “akt raportimi”, Zari e dënon sepse dhunon dinjitetin dhe privatësinë e mamasë së saj. Sa për ata që shprehën keqardhje për të ëmën, Zari u kujton se asnjëri prej tyre nuk deshi t’ia dinte kur i biri, Ilirian Zari, u vra në kufi në shkurt të vitit 1990.
“Për ndjeshmërinë kolektive dhe atë mediatike kam ca pyetje: Kush i doli për zot nënës sime dhe tim eti kur ua vranë djalin në kufi në shkurt 1990 dhe ata pësuan traumë psikologjike deri në rrënim? Pse shteti nuk u ktheu asnjë përgjigje 70 letrave nga Amnesty International, dërguar nga 35 vende të botës për të kërkuar transparencë për vrasjen e tim vëllai, Ilirian Zari, në kufi? Vallë, kush i doli për zot nënës sime kur kërkonte kufomën e të birit në kufirin shqiptaro-grek në rrethinat e Ersekës […]?
“Vallë, a i doli kush për zot nënës sime kur sëmundjet e saj kërkonin dhe kërkojnë ende mijëra euro për t’u kuruar jashtë vendit, sepse sistemi shëndetësor në Shqipëri nuk ofronte dhe ende nuk ofron asnjë mjekim bashkëkohor anti-tumoral, asnjë terapi për pre-Alzheimer apo Alzheimer të avancuar, por ofron higjienë zero, pamundësi të mbulojë kostot përmes sigurimit të shëndetit dhe metoda mjekimi kasapçe, ku literalisht çnjerëzorja dhe dhuna janë martuar prej kohësh?” Lajmin dhe bujën që bëri, Zari e quan “fletërrufe morale”, një relikë të mbetur nga sistemi totalitar. E mbyll duke u thënë medias dhe “gazetave betonierësh” se çfarëdo të shkruajnë, nuk mund t’ia cënojnë paqen e brendshme dhe dashurinë për familjen dhe artin.
AUV në pritje të rezultateve për mandarinat e importuara nga...
E akuzoi se ka pëlqim ndaj tij, Gresa shpërthen në lot nga X...
Grupi “Shkodra Elektronike” me një falënderim të veçantë për...
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje e Rugovës ia dha...
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...