Google ADS

Dani: Nuk besoj në coronavirus, grip ka pasur çdo herë

23:37 | 4 Gusht 2020
A. B.

Këngëtari i njohur pejan, Ramadan Krasniqi – Dani, ka qenë së fundmi i ftuar në emisionin “Ora e Mbrëmjes”.

Ai ka folur për të rejat në karrierën e tij dhe situatën e krijuar nga pandemia globale coronavirus, e cila në punën e tij ka rezultuar me zero mbrëmje muzikore ashtu si te të gjithë këngëtarët e tjerë, shkaku i ndalimit të tubimeve në masë.

Krasniqi ka habitur me deklaratën e tij duke thënë se nuk është një nga ata që beson në ekzistencën e këtij virusi, duke e quajtur situatën e krijuar nga pandemia si diçka të hiperbolizuar.

“Ani virus ka pasur çdo herë, grip ka pasur çdo herë. Përshembull unë prapë po them, duke i respektuar institucionet shëndetësore, mirëpo ‘vdiq ky, vdiq ky, i pat disa sëmundje, në kuadër të kësaj edhe COVID-19’. Ajo për mua nuk është e akceptueshme aspak. Ishalla e kam gabim, por e di që nuk e kam gabim aspak”, ka thënë Dani.

Moderatori ia ka përkujtuar atij që vetëm gjatë ditës së martë u emëruan rreth 13 vdekje prej coronavirusit, por që as kjo nuk e bindi atë që njihet si bilbili i muzikës pejane.

“Më fal këta po i emërojnë, por derisa COVID-i nuk doli qysh është sot. Në Pejë me rrethinë çdo ditë kanë vdekur 50 vetë, nëpër krejt Kosovë kanë vdekur 100 vetë gjatë ditës, a i ka përmend dikush ndonjëherë? Kurrë asnjëherë…bile tash po vdesin shumë më pak se përpara. Nëse ka vdekur ndonjë fytyrë publike e kanë përmendur një ditë, dy edhe më nuk e kanë përmendur. Me fal, ata që kanë vdekur ka 200 në javë në Kosovë edhe sot po vdesin, dikush prej zemrës, dikush nga sëmundje të ndryshme. Po thonë: I ka pasur këto, por në kuadër të kësaj edhe COVID-in, lej bre fjalët, lej këto…unë nuk besoj për veti. Më falni, e di që më shajnë, ndoshta 100 mijë thonë: ky qenka viç, ky qenka lopë, ky qenka debil, por unë s’besoj”, ka thënë tutje këngëtari.

Deklarata të ngjashme kishte thënë në protestën e 15 qershorit në Prishtinë edhe këngëtari tjetër i njohur, Labinot Tahiri.

Në një moment gjaknxehtësie nën prezencën e gastronomeve që e mbështesnin në këtë protestë, Tahiri ishte deklaruar duke thënë “S’ka virus”, e që një deklaratë e tillë ishte shoqëruar me pasthirrmat “Bravo Lab”, nga personat që e rrethonin. /Telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme