Plot 120 është numri i deputetëve në Kuvendin e Kosovës, shumica prej të cilëve jashtë politikës, gëzojnë një profesion krejt tjetër.
Në mesin e deputetëve gjenden edhe artistë, ose thënë më mirë ish-artistë, pasi disa prej tyre kanë hequr dorë tashmë nga ky profesion.
Adem Mikullovci – aktor me profesion, Blerta Deliu Kodra – aktore dhe prezantuese, Memli Krasniqi – ish këngëtar, dhe Labinot Tahiri – këngëtar janë katërshja e famshme e Parlamentit, të cilët para se të gëzonin karrigen e deputetit, njiheshin për krejt tjetër gjë.
Sa e shijojnë postin e deputetit? Si e gërshetojnë ata artin me politikën? Dhe a mendojnë t’i rikthehen ndonjëherë artit?
Telegrafi ka intervistuar katërshen në fjalë, të cilët kanë rrëfyer kalimin e tyre nga arti në politikë, duke treguar edhe se si erdhën deri te marrja e këtij vendimi.
Aktori i mirënjohur, Adem Mikullovci e kishte hapur seancën e parë konstitutive të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit më 3 gusht 2017, e si artist që është, seancën e kishte hapur me disa vargje të njohura të Azem Shkrelit: “Ndalem dhe shikohem në pasqyrë, dhe nuk di a me e puth veten, a me pshty?”.
Në prononcimin e dhënë për Telegrafin, Mikullovci tregon se arsyeja e aderimit ishte për një qëllim më të mirë për vendin, dhe se pas këtij mandati nuk do t’i rikthehet më artit, e as nuk do të merret me politikë, kjo ngase nuk ka më forcë.
“Me qenë mes artit dhe politikës është ngjashmëri e madhe, me që edhe në Kuvend ka mjaft aktrim, edhe dramacitet, thurje dramaturgjike, dialogje, replika, nuk është fort larg teatrit, prandaj e ndjej veten komod dhe nuk e ndjej veten keq aspak. Përkundrazi, po më duket se më mirë po e ndjej veten në Kuvend sepse teatri për mu ka mbaruar, ‘i kam çuar duart prej tij”.
Por, a do ta shohim përsëri Adem Mikullovcin në teatër?
“Jo nuk e kam ndër mend të kthehem, sepse nuk jam në gjendje fizike, me shëndet nuk jam i aftë, më nuk mundem të punoj, kështu që unë me teatër e kam kryet. Sa të zgjasë ky mandat do të merrem me politikë, dhe pastaj do ta përfundoj edhe këtë rrugë. Aryseja ka qenë me marr pjesë, me u mundu pak në synimet e Vetëvendosjes, meqë kam besuar gjithmonë, dhe kam dashur të jem pranë tyre me kontribu sa të mundem ,por si duket edhe aty nuk po ndez fort – kjo ka qenë shkaku i kyçjes sime në politikë”, ka thënë Adem Mikullovci.
E kishte filluar karrierën e saj si aktore, e më pas ishte bërë edhe prezantuese e lajmeve në Radio Televisionin e Kosovës. Blerta Deliu-Kodra ka treguar se vazhdon të merret me art herë pas here, kjo pasi e ushtron profesioin e ligjërueses në Fakultetin e Arteve – dega aktrim.
“Aktualisht jam e koncentruar në zhvillim të mirëbesimit në të gjithë interesat e qytetarëve, jo vetëm të interesit të komunitetit artistik. Po mundohem që qytetarët të mos i zhgënjej, dhe t’ua kthej me punë, ngase tash e tri mandate ata kanë pasur besim te unë, dhe sigurisht që përgjegjësia ime është të kryej të gjitha detyrat në interes të tyre, ndaj për momentin gjithë punën e kam të përkushtuar brenda Kuvendit të Kosovës”. Prapëseprapë, unë për momentin jam e lidhur me artin, sepse jam e angazhuar edhe në Fakultetin e Arteve, në dy semestra. Aktualisht jam e angazhuar si asistente e jashtme, ku së bashku me Shkumbin Istrefin jemi në ligjërata të përhershme me studentë, ku fokusohemi të ata që t’i mësojmë dhe gjykojmë në “armët e aktrimit”, në mënyrën se si studentët flasin, se si interpretojnë në skenë etj”, ka thënë Deliu-Kodra.
A do t’i rikthehet aktrimit Blerta?
“Kam pas disa oferta që t’i rikthehem aktrimit, dhe e kam dëshirë që t’i kthehem. Kam pas kërkesa të mëdha të qytetarëve për çdo ditë, që sa herë më kanë takuar, kanë shprehur dëshirën që të më shohin sërish në projekte filmike. Natyrisht që këtë dëshirë do ta realizoj së shpejti, në momentin që do të kem kohë t’i përkushtohem më shumë”, ka thënë Blerta Deliu-Kodra.
Ndërkohë, në Kuvendin e Kosovës nuk mungojnë as edhe këngëtarët. Labinot Tahiri befasoi të gjithë me vendimin e tij për kyçjen në politikë. Sot ai është deputet nga radhët e AKR-së, ndërsa ai thotë se vazhdon ta dojë muzikën, dhe se në politikë nuk është kyçur për interesa personale, por për interesa të popullit.
“Sigurisht që puna me art është shumë më e mirë. Tash merrem pak më rrallë me muzikë, por nuk do të thotë që kam ngelur totalisht jashtë saj. Ka qenë shumë më ndryshe koha kur merresha me muzikë, ngase këndoja vetëm për vete, më shumë për interes personal, ndërsa tani se deputet kam peshë tjetër, pasi shërbej në interes të popullit. Të merresh me politikë është pak më e vështirë, ngase në politikë nuk je individ, por je shumës, çka do të thotë që ne deputetët bashkërisht mundohemi për të mirën e vendit”, është shprehur Labinot Tahiri.
Çfarë thotë Labinot Tahiri për rikthimin në muzikë?
“Sa i përket faktit se sa do t’i rikthehesha muzikës, unë nuk jam tip që i kalkuloj gjërat, por nuk i dihet. Nëse do ta kem shëndetin, atëherë sigurisht që do t’i rikthehem, e ndoshta edhe më fuqishëm se sa tani. Kalimi nga këngëtar në deputet nuk është bërë për shkak të përfitimeve, ngase paga ime është e ditur për opinionin se sa është, dhe unë vetëm për një natë sa kam kënduar në koncerte përpara, kam marrë më shumë se sa në Parlament. Nuk është ndonjë punë më e këndshme se sa të këndosh, kjo pasi kur këndon kënaqesh bashkë me publikun, teksa në Kuvend duhet të rrish mbi 3-4 orë duke shqyrtuar çështjet që zakonisht trajtojmë”, thotë Tahiri.
E ai që ka vite që është tërhequr nga skena dhe merret vetëm me politikë është Memli Krasniqi.
Për vite me radhë, Memli ka qenë pjesë e grupit të famshëm “Ritmi i Rrugës”, grup i cili kishte sjell hite të shumta me këngët e famshme të viteve të pas-luftës që trajtonin temat aktuale, duke pasqyruar realitetin. Ai gërshetoi më së miri artin dhe politikën duke u bërë Ministër i Kulturës, e ndërsa më pas ushtroi edhe postin e Ministrit të Bujqësisë.
Memli, i cili aktualisht është deputet nga radhët e PDK-së tregon se i mungon koha kur merrej me art, por nuk e përjashton mundësinë e rikthimit në muzikë.
“Muzika ka qenë pjesë e rëndësishme e imja dhe vazhdon të jetë, pavarësisht faktit që unë më nuk merrem me muzikë. Ka raste kur më merr malli për skenën dhe kam kujtime shumë të mira nga koha e karrierës sime muzikore”, ka thënë Memli Krasniqi.
A do i rikthehej deputeti Krasniqi muzikës?
“Është e mundshme! Unë asnjëherë s’mund të them se kurrë më nuk do të realizoj ndonjë projekt muzikor, qoftë edhe vetëm për ndonjë rast të caktuar.
Politika dhe arti nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Për shembull, shumica dërmuese e këngëve tona kanë qenë të angazhuara edhe politikisht dhe kanë trajtuar tema të preokupimit tonë të përditshëm”, përfundon Krasniqi.
Ndonëse arti është botë në vetvete, personazhet e mësipërm treguan se sa mirë kanë arritur ta gërshetojnë atë me politikën, duke i shërbyer vendit, ndërsa i kanë dhënë edhe më shumë vlera karrierës së tyre.
Lela e zbulon planin e Drilonit me Anisën, jashtë BBVK3
Republikanët arrijnë marrëveshje për të shmangur mbylljen e ...
Haziri: Abdixhiku bëhet kryeministër më 9 shkurt dhe më 10 s...
Nuk e keni ditur por krehri i flokëve duhet të pastrohet çdo...
Noizy performon në Festivalin e Këngës në RTSh-së
Pranim-dorëzimi i detyrës së kreut të Kushtetueses, Rohde: E...