Ava Max i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Bebe Rexhës për bashkëpunim

18:19 | 29 Janar 2019
Arbresh.info

Edhe Ava Max i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Bebe Rexhës për një bashkëpunim ndërmjet këngëtareve të famshme shqiptare.

Ylli me origjinë nga Dibra të hënën bëri një postim në profilin e saj në Twitter, në të cilin kërkonte një bashkëpunim muzikor me këngëtaret shqiptare të muzikës pop, Rita Ora, Dua Lipa dhe Ava Max.

Këngëtarja në ngritje, 24-vjeçarja Amanda Ava Koci i ka komentuar Bleta Rexhës (emri i vërtetë i Bebe Rexhës) duke thënë se bashkëpunimi ndërmjet tyre do të ishte një hit i ri sikur kënga e popullarizuar “Lady Marmalade”.

“Një ‘Lady Marmalade’ e re”, ka shkruar Amanda në komentin e saj në postimin e Bebes duke e shoqëruar me simbole kuqezi të zemrës.

https://twitter.com/avamax/status/1089986709855424512?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1089986709855424512&ref_url=https%3A%2F%2Ftelegrafi.com%2Fava-max-referohet-hitit-boteror-lady-marmalade-ne-komentin-e-saj-per-kerkesen-e-bebe-rexhes%2F

“Lady Marmalade” është një këngë e realizuar nga Bob Crewe dhe Kenny Nolan, e cila për herë të parë u bë e popullarizuar në vitin 1974 nga grupi amerikan i vajzave, “Labelle”. Versionin e vitit 2001 e kënduan Christina Aguilera, Mya, Pink dhe Lil’ Kim, për nevojat e filmit “Moulin Rouge!” dhe ishte një hit i madh.

Pozitivisht kësaj kërkesë i është përgjigjur edhe Dua Lipa, ndërsa pritet vetëm reagimi i Rita Orës.

Natyrisht se për të ndodhur bashkëpunimi i katër këngëtareve të famshme nevojiten shumë negociata të menaxhmenteve përkatëse dhe studiove muzikore.

Mirëpo, fansat e tyre, e në veçanti shqiptarët, do ta mirëprisnin një këngë të përbashkët të bukurosheve tona.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme