Angelina Jolie akuzon Brad Pittin: Na sulmoi fizikisht në avion

12:56 | 5 Tetor 2022
A. B.

Aktroja e famshme, Angelina Jolie ka ngritur një kundërpadi kundër ish-bashkëshortit të saj, Brad Pitt, duke zbuluar detaje të reja të sjelljes së supozuar abuzive gjatë një udhëtimi me avion privat në vitin 2016.

“[Brad] Pitt gati e ka mbytur njërin fëmijë duke e ngulfatur, kurse tjetrin e goditi në fytyrë. Po ashtu e kapi [Angelina] Jolie nga koka dhe e shkundi atë”, thuhet në këtë dokument, ku po ashtu pretendohet se Pitt “i zbrazi birrë në kokë Jolie, dhe gjithashtu derdhi birrë dhe verë të kuqe mbi fëmijët”, raporton Daily Mail.

Të martën e 4 tetorit, si pjesë e një beteje ligjore mbi verarinë franceze që dikur e zotëronin ish-çifti, ylli i “Maleficent” paraqiti ankesën e saj.

Në dosjet gjyqësore, të para nga “The New York Times”, avokatët e Jolie pretenduan se negociatat për të shitur pjesën e saj të biznesit ishin prishur pasi Pitt i kërkoi asaj të nënshkruante “një marrëveshje që do ta kishte ndaluar kontraktualisht të fliste jashtë gjykatës për abuzimin fizik dhe emocional që Pitt kishte ushtruar ndaj saj dhe fëmijëve të tyre”.

Akuzat shtesë vijnë pasi dokumentet e FBI-së në lidhje me betejën e supozuar të ish-çiftit në vitin 2016 u zbuluan në media në gusht.

Sipas raportit të mëparshëm, Pitt i tha Joliet se një nga fëmijët e saj “dukej si një fëmijë kolumbine” dhe tha se ajo po “prishte familjen”.

Komenti i pretenduar i Pitt duket se i referohej masakrës në shkollën e mesme “Columbine” në vitin 1999, ku dy nxënës të klasës së 12-të vranë 12 fëmijë dhe një mësues në Kolorado.

Në dokumente gjithashtu thuhet se Jolie u tha zyrtarëve të FBI-së se Pitt i bërtiti asaj, “e kapi nga koka”, e shkundi, “e shtyu drejt murit të banjos” dhe goditi vazhdimisht me grusht tavanin e avionit.

Në deklaratën e saj, Jolie pretendoi se veprimet e Pitt i frikësuan gjashtë fëmijët e tyre të cilët në atë kohë ishin nga tetë deri në 15 vjeç. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme