Fillimisht për një kuptueshmëri më të mirë të këtij çrregullimi është e nevojshme të cekim se termi ‘’borderline’’ që i referohet kësaj patologjie është i gabuar, kjo pasi që ‘’borderline’’ konceptualizohet si sëmundje mentale mes psikozave dhe neurozave ndërsa realisht BPD është çrregullim kompleks i cili karakterizohet me lëvizje emocionale, impulsivitet si dhe vështirësi në krijimin e marrëdhënieve interpersonale dhe intrapersonale (Paris,2005).
Për më tepër sipas DSM-IV-TR (2000), çrregullimi BPD përfshin fushën afektive me ç’rast manifestohet me: jostabilitet emocional si p.sh ankth dhe zemërim të cilat mund të zgjasin me orë të tëra e në disa raste edhe me javë. Më tutje BPD karakterizohet edhe prej simptomave impulsive siç janë sjelljet vetëvrasëse, sakatosja-gjymtimi i vetës, të ushqyerit binge, marrëdhënie të shumta seksuale, përdorimi i substancave narkotike, si dhe krijimi i marrëdhënieve jo të qëndrueshme interpersonale të karakterizuara nga dy ekstreme, në njërën anë bëhet idealizimi i një raporti shoqëror, ndërsa në anën tjetër kemi tendencën ekstreme ta zhvlerësojmë atë. Për më tepër tek çrregullimi BPD shfaqen vështirësi të tjera në këtë aspekt, kjo pasi që këta individë kanë tendencën e vazhdueshme që të anashkalojnë braktisjen nga të tjerët qoftë ajo e vërtetë apo joreale, çrregullim të identitetit pasi që nuk arrijnë ta krijojnë ndjesinë për ta njohur vetëimazhin e tyren dhe në fund çrregullimi BPD shtrihet edhe në rrafshin kognitiv, me ç’rast karakterizohet me stres të përkohshëm që vjen si pasojë e mendimeve paranoike (Biskin,2013).
Pasi që BPD cilësohet edhe si çrregullim i personalitetit shumica e studiuesve në fushën e psikologjisë së personalitetit në bazë të hulumtimeve të shumta, sipas BIG FIVE dhe instrumentit të NEO-PI-R individët me BPD i kanë cilësuar si njerëz me pikë të larta në neuroticizëm, këta persona kanë tendencë të jenë më të zemëruar, anksioz dhe të stresuar, pikë të ulëta në tiparin e pajtueshmërisë-individ jo të mirëkuptueshëm dhe jotolerant, si dhe pikë të larta në tiparin e ndergjegjshmërisë-jo të vetëdisciplinuar si dhe të paorganizuar (Brune, 2016). Në anën tjetër sipas teorisë biosociale, shumë prej problematikave biheviorale që ndërlidhen me BPD kanë qenë si pasojë e jorregullimit emocional, me ç’rast edhe literatura empirike e ka mbështetur këtë nocion (Sebastian, Jacob, Lier, & Tuscher, 2013).
Epidemiologjia
BPD ka gjetur përfaqësim edhe në popullatën e zakonshme si edhe në atë klinike (Coid, 2011). Në anën tjetër BPD has më shumë prevalencë tek moshat e reja (19-34 vjeç), si dhe shfaqet më shpesh tek gjinia femërore (Riso, 2000). BPD shfaqet më shumë tek individët që jetojnë në zonat urbane, si dhe diku rreth 9% të vetëvrasjeve mendohen të jenë si pasojë e këtij çrregullimi (Singleton, Bumpstead & O’Brien, 2001). Për më tepër pothuajse shumë prej individëve me BPD kanë vazhduar me trajtim rreth gjendjes së tyre në qendrat e shëndetit mendor (Torgerson, Kringlen, & Kramer, 2001).
Diagnostikimi
Një profesionist i licensuar i shëndetit mendor – një psikiatër apo psikolog mund të bëjë diagnostikimin e BPD bazuar në këto kritere: Kompletimi i një interviste duke i diskutuar simptomat e BPD, performimi i një testi mjekësor, marrja në pyetje e historisë familjare, përfshirë aspektin nëse dikush nga familjarët paraprakisht vuan prej ndonjë çrregullimi mental (Soloff, Lynch, Kelly, Mallone, & John Man, 2000). Diagnostikimi i BPD në disa raste është mjaft i vështirë, kjo për faktin e thjeshtë se BPD shpesh ndërlidhet edhe me çrregullime tjera. Kjo qasje gjithëpërfshirëse shpesh e bën edhe më të vështirë pjesën e diagnostikimit dhe trajtimin e këtij çrregullimi veçanërisht kur disa nga simptomatologjitë e BPD shfaqen edhe tek çrregullimet e tjera, p.sh një person me BDP është më i predispozuar të përjetoj simptoma të depresionit, çrregullimit bipolar, çrregullime të ankthit apo çrregullimet të të ushqyerit (Paris, 2002).
Komorbiditeti
Spektri i çrregullimeve të cilat gjejnë komorbiditet me BPD është mjaft i gjerë. BPD si çrregullim shpesh has ndërlidhje me depresionin apo stresin post traumatik PTSD, për më tepër edhe hulumtimet e mbështesin këtë evidencë (Pagura, Stein, Bolton, Grant, & Sareen, 2010) Gjithashtu BPD si çrregullim korrelon me çrregullimet biploare (Tomko, Trull, Wood, & Sherr, 2014) apo me çrregullimin anti social (Trull, 2000) si dhe me çrregullimin e përdorimit të substancave narkotike (Sherr dhe Trull, 2002). Për më tepër çrregullimet e disponimit tek klientët me BPD hasen diku në 96% të rasteve, në anën tjetër depresioni shfaqet diku prej 71% deri 83% . Studimet kanë treguar se edhe çrregullimet e ankthit shfaqen tek klientët me BPD, diku rreth 34% deri 48% kanë treguar se kanë edhe çrregullime të ankthit, ndërsa 47% deri 56% kanë PTSD. Çrregullimet e substancave narkotike dhe përdorimi i alkoolit raportohen diku rreth 50% deri 65% ndërsa çrregullimet e të ushqyerit i afektojnë klientët prej 7% deri 26% përgjatë gjithë jetës (McGlashan, Grilo, Skodol, Gunderson, Shea, & Morey, 2000) Dallimet gjinore sa i përket kësaj fushe janë pothuajse të njëjta si në popullatën e përgjithshme, tek përdorimi i substancave narkotike, vërehet se tek një numër më i madh i gjinisë mashkullore shfaqen më shpesh këto çrregullime komorbide, ndërsa në anën tjetër tek çrregullimet e disponimit dhe të ushqyerit gjinia femërore është më e predispozuar të jetë pre e këtij komorbiditeti (Biskin, 2013). Duke mos lënë anash të gjitha këto çrregullime të lartcekura, është shumë e rëndësishme të theksohet se BPD si çrregullim më së shumti has në komorbiditet me çrregullimin e depresionit madhor, pasi që shumica prej simptomave që hasen tek depresioni madhor i gjejmë edhe tek BPD, p.sh gjendja kronike e pakënaqësisë që shfaqet tek BPD është e ngjashme me pikëllimin dhe pavlefshmërinë që haset tek depresioni (Ballanger, 2006). Fusha e çrregullimeve të ankthit është e ngjashme edhe me depresionin dhe komorbiditetin që e ka me BPD. Rezultate të mira janë raportuar gjithashtu edhe nga psikoterapia, të cilat sugjerojnë se ky lloj komorbiditeti mund të përfitojë nga aspekti psikoterapeutik i cili dizajnohet vetëm për klientët me BPD (Stoffers, Vollm, Rucker, Timmer, & L, 2012). Si rrjedhojë, shumë prej të dhënave të evidencuara tregojnë se simptomat e depresionit ulen pas një trajtimi të specializuar për BDP dhe e njëjta vlen edhe për çrregullimet e ankthit, edhe pse përmirësimet vërehen me kalimin e kohës, mirëpo në përgjithësi trajtimet të cilat janë të specializuara për BPD kanë predispozitë në përmirësimin e simptomatave jo vetëm të BPD mirëpo edhe të çrregullimeve komorbide të saj (Biskin, 2013).
Trajtimi
Menaxhimi i klientëve me BPD mund të jetë një përvojë mjaft sfiduese, kjo për vetë faktin e thjeshtë se klinicistët mund të përballen më përpjekjet për vetëvrasje nga ana e klientëve të tyre për vite me rradhë. Gjithashtu klientët me BPD nuk i respektojnë rregullat e terapisë dhe mund të bëhen tejet të lidhur ndaj terapistit të tyre (Gunderson, 2003). Mirëpo, pavarësisht kësaj çasja psikoterapeutike është komponenti kryesor në trajtimin e BPD (Coid,2011; Paris,2002). Përgjatë këtyre dy dekadave shumë teknika janë zbuluar me qëllim përmirësimin e këtij çrregullimi. Disa prej teknikave të cilat sot gjejnë zbatim janë: teknika biheviorale, psikoterapia me fokus në transferencë, sistemi i parashikimeve emocionale dhe zgjidhja e problemeve, teknika këto të cilat gjejnë zbatim në CBT si dhe në rastin e klientëve me BPD fokusohen në zvogëlimin e lëndimit të vetes, parandalimin e sjelljeve vetëvrasëse, impulsivitetit afektiv dhe të gjitha simptomave më të cilat interferohet ky çrregullim (Biskin dhe Paris, 2012). Përvec qasjes psikoterapeutike edhe aspekti farmakologjik e luan një rol kyç në përmirësimin e gjendjes tek individët që vuajnë nga BPD, mirëpo të dhënat bazuar në evidencë nuk e përkrahin qasjen farmakologjike në të njëjtën mënyrë sikurse psikoterapinë (Bleiberg, 2008). Trajtimi farmakologjik është i orientuar në simptomat e individit dhe adreson impulsivitetin, jostabilitetin emocional, sjelljet vetëvrasëse dhe sjelljet vetë-lënduese (Larrivee, 2013), mirëpo pavarësisht antidepresantëve të cilët gjejnë zbatim në aspektin farmaceutik, është e nevojshme të dijmë se asnjë prej tyre deri më tash nuk e trajton këtë çrregullim deri në atë shkallë të komplet shërimit si dhe marrja e tyre nuk nënkupton lehtësim të përhershëm të çrregullimit (Oldham, Gabbard, & Goin, 2001).
Konkludimet
Shumica prej individëve që posedojnë çrregullimin BPD frekuentojnë shtëpinë e shëndetit mendor ose konsultat e planifikuara me psikologun. Çelësi kryesor për menaxhimin e këtij çrregullimi është vendosja e një diagnoze të saktë, mbajtja e një marrëdhënie mbështetëse ndaj klientit dhe caktimi i qëllimeve (Biskin, 2013). Edhe pse BPD mund të zgjas me vite, ajo nuk zgjat për tërë jetën dhe e mira e kësaj është që individët me BPD do të përmirësohen me kalimin e kohës (Paris, 2003). Mirëpo, përveç kësaj është e nevojshme të dimë se ka nevojë ende për më shumë studime në fushën e çrregullimeve të personalitetit, me ç’rast këtu bën pjesë edhe çrregullimi BPD, më saktësisht studime të cilat fokusohen në shkaqet e këtij çrregullimi, rezultatet e të cilave mund të na ndihmonin në zhvillimin e çasjes të bazuar në evidence e të cilat janë veçanërisht të specifikuara vetëm në trajtimin dhe përmirësimin e këtij çrregullimi kompleks ( Zanarini, Frakenburg, Khera, & Bleichmar, 2001)./Revista Psika
Netanyahu në gjykatën e Tel Avivit për të dëshmuar mbi akuza...
Ushtarët shqiptarë nderohen me Medaljen NATO për shërbim të ...
Gjesti i lë një trëndafil Xhenetës pranë kokës
Liverpooli e bën prioritet transferimin e yllit të Brightoni...
Luginasit ankohen për gjoba në kufirin e Kosovës, kryetari i...
Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin ...