Google ADS

Teknologjia dhe lufta kundër varësisë nga opioidet

19:42 | 7 Shtator 2019
Arbresh Info

Çdo ditë, më shumë se 130 njerëz vdesin në Shtetet e Bashkuara si rezultat i mbidozës me opioide. Por, në një shtet të prekur shumë nga kjo epidemi, zgjidhjet novatore tani po njohin përparime duke ofruar shpresë për shpëtimin e jetëve. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Carol Pearson sjell më shumë hollësi.

Epidemia e opioideve ka patur një ndikim të madh mbi individët, familjet dhe komunitetet amerikane.

Shteti Ohajo zhvilloi një konkurs të hapur për shkencëtarët, kompanitë teknologjike dhe individët me synimin për zgjidhjen e kësaj krize. Katër fitues me nga një milion dollarë secili, po punojnë për të zhvilluar më tej produktet e tyre.

Një nga fituesit është edhe ky aplikacion i zhvilluar nga Spitalet Universitare në Klivland. Aplikacioni i ndihmon mjekët për të përcaktuar nëse një pacient do të ketë probleme varësie nëse i jepet një recetë me opioide. Nëse i lëshohet receta, pacienti ndihmohet në parandalimin e varësisë. Jonathan Sague është me Spitalet Universitare në Klivland të shtetit Ohajo.

“Pas daljes së pacientit nga spitali me një recetë opioidesh për dhimbjet e forta, punonjësi i shërbimit social lidhet me të për t’u kujdesur në komunitet sepse nuk duam që ata të luftojnë të vetmuar kur të kthehen në shtëpi.”

Sipas përllogaritjeve, rreth 12 mijë hapje me përbërje opiodie janë mbajtur jashtë komunitetit.

“Nuk ka të bëjë vetëm me numrin e pilulave, por bëhet fjalë për numrin e jetëve njerëzore që preken pozitivisht duke mos u ekspozuar ndaj këtyre opioideve”, thotë zoti Sague.

Një aplikacion tjetër i ndihmon ata që po shërohen nga varësia që të ndjekin përparimet e tyre dhe të jenë të përgjegjshëm. Një kompani e quajtur Prapela zhvilloi një dyshek me dridhje të lehta që i qetëson bebet e sapolindura të varura nga opioidet. John Konsin është me kompaninë Prapela.

“Kur një foshnje shtrihet në dyshekun me dridhje, e ndihmon në qetësimin e frymëmarrjes dhe normalizimin e ritmit të rrahjes së zemrës. Kur ndodh kjo, bebet pushojnë.”

Një tjetër zgjidhje teknologjike është një buton inteligjent që i mundëson njerëzit që po luftojnë me vartësinë të kërkojnë ndihmë. Produkti është ideuar nga kompania Brave.

“Kjo teknologji u ofron njerëzve që janë në rrezik për mbidozë një mënyrë që ata të lidhen me dikë edhe pse janë fizikisht të vetmuar. Në raste që ata mund të marrin mbidozë ne ti gjejmë ata për ti ndihmuar”, thotë Gordon Casey me kompaninë Brave.

Synimi është ndihma për zhvillimin e teknologjive që mund të luajnë një rol të madh në ndalimin e krizës së opioideve dhe shpëtimin e jetëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme