Google ADS

Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas ekspertëve

23:43 | 26 Nëntor 2024
E.H

Miliona njerëz në botë konsumojnë vitamina dhe suplemente për një shëndet sa më të mirë, por ekspertët paralajmërojnë se kombinimi i gabuar mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin

Nga mungesat ushqyese deri te dëmtimet e organeve, ja disa kombinime që duhet të shmangni dhe si t’i menaxhoni ato.

Kombinimi më i rrezikshëm: Orizi me maja të kuqe dhe niacin

Këto suplemente, që shpesh përdoren për uljen e kolesterolit, mund të shkaktojnë dëmtim serioz të mëlçisë kur merren së bashku. Todd Sontag, specialist i mjekësisë, shpjegon se përfitimet për zemrën nga këto produkte janë të paqarta, ndërsa efektet anësore janë të dokumentuara. Nëse shtohen edhe statinat (medikamente për uljen e kolesterolit), rreziku për mëlçinë rritet ndjeshëm.

Omega-3 dhe ginkgo biloba: Probleme me qarkullimin e gjakut

Omega-3 është i njohur për përmirësimin e shëndetit të zemrës, ndërsa ginkgo biloba thuhet se ndihmon në parandalimin e demencës. Por, kur merren bashkë, këto suplemente mund të rrisin qarkullimin e gjakut në nivele të rrezikshme, duke shkaktuar humbje serioze gjaku në rast dëmtimesh. Ekspertët rekomandojnë t’i konsumoni me një hapësirë kohore prej të paktën dy orësh.

Kombinime që pengojnë përthithjen e njëra-tjetrës

Magnez dhe kalcium: Kur merren së bashku, këto minerale përthithen pjesërisht, ndërsa pjesa tjetër eliminohet nga trupi. Prisni të paktën dy orë midis konsumimit të tyre.

Zink dhe bakër: Sasia e tepërt e zinkut mund të pengojë përthithjen e bakrit, i cili është i rëndësishëm për prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe forcimin e kockave.

Vitamina A, D, E dhe K: Këto vitamina liposolubile duhet të merren të ndara për të shmangur “konkurrencën” gjatë përthithjes.

Hekuri dhe çaji: Një kombinim që duhet shmangur

Hekuri, thelbësor për prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut, mund të mos përthithet siç duhet kur merret me çaj të zi ose jeshil. Taninat në çaj lidhen me hekurin, duke e bërë të padisponueshëm për trupin. Sigurohuni të shmangni konsumimin e këtyre dyjave njëkohësisht.

Suplementet për gjumë: Kujdes me mbidozën e qetësuesve

Melatonina dhe suplementet bimore si valeriana, ashwagandha, kava dhe Lule Basani mund të shkaktojnë përgjumje të thellë kur kombinohen. Kjo mund të rrisë rrezikun e reaksioneve të padëshiruara.

Suplementet dhe medikamentet:

Lule Basani dhe antidepresantët: Ky kombinim mund të çojë në nivele të rrezikshme të serotoninës, duke shkaktuar sindromën e serotoninës. Simptomat përfshijnë konfuzion, agjitacion, djersitje dhe në raste të rënda, konvulsione ose aritmi kardiake.

Hekuri dhe antibiotikët: Hekuri mund të ndërhyjë në efektivitetin e antibiotikëve, ndaj rekomandohet të konsultoheni me mjekun për kohën e marrjes së tyre.

Rekomandimi i përgjithshëm

Shumica e njerëzve mund të marrin të gjithë ushqyesit që i duhen përmes një diete të larmishme dhe të balancuar.

Nëse përdorni suplemente, ndiqni udhëzimet e ekspertëve për kohën dhe mënyrën e përdorimit për të shmangur efektet e padëshiruara./Telegrafi/

Të ngjashme