Studimi: Të mbijetuarit e zjarreve përballen me rrezik më të madh të kancerit

11:38 | 18 Maj 2022
Trina Galanxhi

Zjarret e egra, si ai që shpërtheu në Nju Meksiko, dihet se shkaktojnë rritje të problemeve të frymëmarrjes dhe sulme në zemër në fillimin e tyre të menjëhershëm për njerëzit që jetojnë aty pranë.

Tani, hulumtimi i ri kanadez tregon se këto zjarre mund të rrisin gjithashtu rrezikun për kancer të mushkërive dhe trurit me kalimin e kohës, transmeton portal arbresh.info

Njerëzit që jetuan rreth 30 milje larg zjarreve gjatë 10 viteve të mëparshme kishin 10% më shumë gjasa për të zhvilluar kancer të trurit dhe kishin një rrezik 5% më të lartë për kancer të mushkërive, krahasuar me njerëzit që jetonin më larg nga këto zjarre.

Autori i studimit, Scott Ëeichenthal, një profesor i asociuar në Departamentin e Epidemiologjisë, Biostatistikës dhe Shëndetit në Punë në Universitetin McGill në Montreal, tha se gjatë studimit janë parë sinjale të qëndrueshme për rrezikun e kancerit të mushkërive dhe të trurit mes njerëzve që jetojnë pranë zjarreve.

“Ne e dimë se një gamë e tërë kancerogjenësh lëshohen gjatë zjarreve që mund të rrisin rrezikun për këto kancere”, tha ai.

Zjarret e egra zakonisht fillojnë në pyje, livadhe ose lulishte dhe shpesh shkaktohen nga zjarret e kampeve të lëna pa mbikëqyrje, bishtat e cigareve të ndezura, shkëndijat nga linjat e energjisë elektrike ose zjarrvëniet e qëllimshme.

Këto zjarre priren të ndodhin në pjesë të ngjashme të vendit, kështu që njerëzit që jetojnë në këto zona mund të ekspozohen vazhdimisht ndaj ndotësve të zjarreve të egra që mund të shkaktojnë kancer, vunë në dukje autorët e studimit.

Kushdo që jeton pranë tymit të zjarrit mund të ketë djegie të syve, rrufë, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje.

Shkencëtarët thonë se është e rëndësishme të zvogëlohet rreziku i zjarreve në natyrë.

Studimi u botua në The Lancet Planetary Health./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme