Një ekip studiuesish ndërkombëtarë ka arritur në përfundimin se 30% e personave të prekur nga virusi HIV në mbi 10 vende nuk marrin në kohë ilaçet që i mbrojnë nga SIDA.
Studimi i zhvilluar me nismën e Qendrës Amerikane për Parandalimin e Sëmundjeve analizoi përqindjet e infektimit me HIV në Haiti, Vjetnam, Nigeri, Namibi, Suaziland, Mozambik, Tanzani, Ugandë dhe Zambia.
Studiuesit analizuan kartelat mjekësore të mbi 694 mijë pacientëve nga 2004-2015 në afro 800 klinika. Vëmendja u përqëndrua në pacientë nga mosha 15 vjeç e sipër.
Eksperti për infeksionet me HIV Andrew Auld është autori kryesor i studimit. Ai tha se përqindja e njerëzve që marrin mjekim menjëherë pas infektimit është rritur në Haiti, Mozambik dhe Namibi me 40% ose më shumë gjatë periudhës së analizuar.
Por zoti Auld thotë se mjekimet ende nuk po përdoren për një pjesë të madhe të popullatës së infektuar.
“Disa nga gjërat kyçe që duhen bërë në këto vende janë intensifikimi i analizave mjekësore dhe lehtësimi i praktikave për diagnostikimin e infektimeve me HIV dhe për mjekimin, në mënyrë që personat që diagnostikohen si të infektuar të mjekohen menjëherë,” thotë studiuesi.
HIV-i infekton dhe shkatërron qeliza të sistemit imunitar dhe trupi gradualisht humbet aftësinë për të luftuar infeksionet që sjellin edhe vdekjen e personit të prekur.
Objektiva ambicioze
Agencia e OKB për SIDA-n ka përcaktuar objektivin ambicioz 90-90-90 në përgjigje të epidemisë së HIV.
Brenda 2020, agjencia shpreson se 90% e të gjithë personave me HIV do të jenë në dieni të diagnozës, 90% do të marrin mjekime anti-retrovirale dhe 90% do të mjekohen për të mos lejuar aktivizimin e virusit.
Mjekimi i menjëhershëm me ilaçe anti-retrovirale shërben jo vetëm për të shpëtuar jetë, por edhe për të ulur rrezikun e përhapjes së infeksionit, thotë zoti Auld.
Një tjetër studim i botuar nga revista the New England Journal of Medicine në 2016 ((http://www.nejm.org/doi/full/10.1056/NEJMoa1600693#t=article)), arrin në përfundimin se mjekimet ulin rrezikun e përhapjes së virusit HIV përmes kontakteve seksuale në masën 96%. Edhe rreziku i transmetimit të virusit nga nëna e infektuar tek foshnja gjatë lindjes reduktohet nëse nëna mjekohet me ilaçet anti-retrovirale.
Megjithë avancimet në mjekimin e personave të infektuar, artikulli në revistë vë në dukje e më shumë se 2 milionë infektime të reja nga HIV u njoftuan në shkallë globale në 2014.
Zoti Auld thotë se arsyeja kryesore që njerëzit nuk shkojnë për mjekim deri kur sëmuren është sepse nuk janë të vetëdijshëm sa rendësi kanë trajtimet e marra që herët në parandalimin e sëmundjes.
“Infektimi me HIV nuk është dënim me vdekje. Kemi mjekime të shkëlqyera që u ofrojnë njerëzve një jetë të gjatë, të shëndetshme e produktive nëse marrin ilaçet,” thotë studiuesi./VOA
Costa: Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor, forcon paqe...
Gruda: Nuk kemi pasur forcë më herët për ta rrëzuar këtë qev...
Incidenti me flamurin, Siljanovska: Mosrespektimi i simbolev...
“Foto e Ditës”, Rama nderon Dëshmorët e Atdheut
Kurti njofton se është hapur tenderi për objektet e banimit ...
Policia rrit masat e sigurisë në tërë Kosovën