Nga shegët me kokrra gjithë lëng që të gëzojnë vetëm me pamjen, tek dardhat e Peshkopisë e Korçës apo kungujt që të sjellin aromën e zjarrit në fshat me amvisat që gatuajnë byrekun me kungull. Shtatori është te dera dhe bashkë me të dhe produktet më të mira të këtij muaji. Pesë frutat dhe perimet që duhet të blini këtë muaj.
Speci i kuq
Edhe pse specat i kemi gjatë të gjithë vitit në treg, specat e kuq e kanë pikun e prodhimit pikërisht tani. Dhe nuk ka asgjë më shumë së specat e kuq për të na treguar se po i afrohemi vjeshtës. Speci i kuq, për t’u pjekur e skuqur, ai më i plotë për t’u mbushur, ju duhet vetëm të zgjidhni. Janë aq të shijshëm sa dhe të bukur.
Si t’i zgjidhni
Zgjidhni speca që janë të fortë dhe me ngjyra të forta. Ah dhe një gjë tjetër: zgjidhni ata që janë më të shtrembër, sepse janë dhe ato më bio e natyralë.
Si t’i ruani
Mbajini specat në frigorifer, të mbyllur në mënyrë hermetike në qese plastike.
Këshilla shtesë
Për t’i qëruar vendosini në zgarë dhe piqini aq sa lëkura të nisë të nxihet. Pastaj vendosini në një enë dhe mbulojini me qese, paskëtaj lëkura do të bjerë menjëherë.
Dardha
Dardha thonë e ka bishtin mbrapa. Dhe ashtu është. Dardhat fillojnë të piqen që në muajin gusht, por ato të shtatorit dhe të tetorit janë dardhat më të ëmbla dhe të shijshme që mund të keni provuar.
Si t’i zgjidhni
Dardhat më të mira janë ato të verdha, me aromë dhe pak të buta tek pjesa e qafës. Mos u shqetësoni nëse vijnë pak në ngjyrë të kuqerremtë, pasi është thjesht lëkura dhe nuk ndikon fare në shije.
Si t’i ruani
Dardhat vazhdojnë të piqen edhe pasi këputen nga pema (në të vërtetë ato piqen më mirë nëse këputen më parë nga pema për të evituar një shije më të fortë. Kështu, nëse dardhat janë pak jeshile dhe të forta, thjesht i lini në temperaturën e ambjentit dhe do të piqen mirë dhe shumë shpejt. Më pas mund t’i fusni në frigorifer.
Këshilla shtesë
Pothuajse të gjithë dardhat që shihni në treg janë kryesisht varietete të vjetra. Zona e Peshkopisë dhe Korçës përveç mollëve shquhen dhe për dardha shumë të mira.
Rrushi
Rrush i zi apo i bardhë. Zgjedhja ju takon ju, sipas shijes dhe preferencave tuaja, të dy këto lloje i gjeni me bollëk në treg.
Si t’i zgjidhni
Zgjidhni rrush të formuar mirë dhe me lëkurë të fortë.
Si t’i ruani
Vendoseni rrushin të mbyllur në mënyrë hermetike në qese plastike në frigorifer. Mos i lani, derisa të jetë momenti për t’i ngrënë. Nëse ato kanë lagështi në momentin që i blini, vendosini një kartëpecetë brenda në qese për të thithur lagështirën e tepërt.
Këshilla shtesë
Në fund të sezonit shihni për rrush që anon pak nga ngjyra e artë. Eshtë rrush mjalt i ëmbël.
Shegë
Shegët kërkojnë pak punë dhe shpesh bëhet një rrëmujë, por ato kokrrat e kuqe si rubin që dalin pasi kemi hapur në mënyrë aspak delikate shegën, ja vlejnë për shijen dhe vlerat e larta ushqyese.
Si t’i zgjidhni
Zgjidhni shegë, që peshojnë më shumë krahasuar me madhësinë, pasi janë dhe më të shijshmet. Mos u shqetësoni shumë për ngjyrën e tyre, pasi ato mund të jenë nga komplet të kuqe në një të kuqe të kafenjtë, pa ndikuar fare në cilësi. Gjithsesi zgjidhni shegë të cilat kanë një ngjyrë të fortë.
Si t’i ruani
Shegët duhet të futen në frigorifer, pasi mund të zgjasin tre deri në katër javë. Pasi të keni nxjerrë kokrrat futini në një qese plastike të mbyllur në mënyrë hermetike dhe vendosini në frigorifer tek ngrirja.
Këshilla shtesë
Për ta hapur shegën pa bërë rrëmujë, ndajeni lëvozhgën në katër pjesë, pastaj futeni frutin në një enë me ujë dhe ndani lëkurën, duke bërë që kokrrat të dalin menjëherë.
Erëza të freskëta
Cila është mënyra më e shpejtë dhe e lehtë për t’i dhënë jetë një pjate të vakët? Shtojini një dorë me erëza të freskëta si borzilok, majdanoz apo mente pak para se të servirni ushqimin dhe magjia u krye duke i dhënë më shumë shije ushqimit.
Si t’i zgjidhni
Kur të zgjidhni erëzat, freskia është e një rëndësie kyçe. Borziloku dhe mentja fillojnë të bien dhe të humbasin aromën e tyre menjëherë pasi janë këputur. Majdanozi është pak më i fortë, por sërish nuk këshillohet të mbahet gjatë.
Si t’i ruani
Në mënyrë të veçantë me borzilokun dhe menten, është t’i trajtoni si lule të sapo këputura- vendosini në një gotë me ujë, vendosni mbi to një qese plastike dhe futini në frigorifer.
Këshilla shtesë
Një nga gjërat më të mira që mund të bëni me erëzat e buta është të bëni salcë, si pesto përshembull. Përzijini erëzat me pak hudhër dhe kripë dhe vendosini në blender, hidhini dhe pak vaj ulliri dhe ja ku keni një super salcë. Po të dëshironi mund t’i hidhni dhe pak lëng limoni. Me këtë recetë, nuk mund të gaboni.
Kungull
Nuk po flasim për kungujt e vegjël, por ato të mëdhenjtë me lëkurë të trashë. Kungujt janë ndër të paktat zarzavate me lëkurë të trashë që mund të ruhen gjatë muajve të dimrit.
Si t’i zgjidhni
Zgjidhni kunguj që kanë ngjyra të forta dhe që nuk kanë piesë të buta e të çara. Kërcelli duhet të jetë gjithashtu i fortë.
Si t’i ruani
Kungujt duhen mbajtur në një vend të errët dhe nuk është e nevojshme që të mbahen në frigorifer.
Këshilla shtesë
Për të gatuar kungullin, ndajeni në gjysëm dhe hiqini farat. Mund ta zieni ose ta piqni në furrë në një tavë. Kungulli është një mrekulli nëse bëhet byrek, siç është dhe traditë e shumë amvisave shqiptare./AgroWeb
Apeli vërteton aktgjykimin lirues për Sylejman Selimin dhe J...
Xabi Alonso kthehet në Anfield si kundërshtar
Pensilvania, historia e shtetit që vendos përherë fatet e Am...
Policia zvicerane kap 15 trafikantë droge në Verbier
Buja: E kam marrë vesh më vonë që Thaçi ishte anëtar i Shtab...
Osmani bashkë me nënën dhe motrat kryejnë mamografinë në QKU...