Si ndikon ndotja e ajrit te menstruacionet

17:27 | 9 Korrik 2021
Trina Galanxhi

Gratë e ekspozuara ndaj smogut të dëmshëm kanë deri në 33 herë më shumë gjasa të vuajnë nga dhimbje të forta gjatë menstruacioneve, zbulon studimi i fundit.

Ndotja e ajrit dihet se shoqërohet me një sërë problemesh shëndetësore, nga kanceri i mushkërive te sëmundjet e zemrës. Hulumtimet tani kanë zbuluar se ekspozimi ndaj niveleve të larta të smogut mund të rrisë rrezikun e menstruacioneve të dhimbshme për gratë, transmeton portali arbresh.info

Shkencëtarët nga Spitali Universitar Mjekësor Kinez në Tajvan kanë treguar se ekspozimi afatgjatë ndaj ndotësve të ajrit mund të rrisë shumë rrezikun e dismenorresë – ngërçe të shpeshta të forta dhe të dhimbshme tek gratë.

Dismenorrea është më e zakonshmja nga të gjitha çrregullimet gjinekologjike, dhe shoqërohet me ngërçe dhe dhimbje në pjesën e poshtme të barkut para ose gjatë menstruacioneve.

Hulumtimi i tyre tregoi se gratë që jetojnë në zona me nivelet më të larta të ndotësve të ajrit kanë 33 herë më shumë gjasa të kenë dhimbje më të mëdha sesa ato që jetojnë në zona me nivele më të ulëta të ndotjes.

Tani, për herë të parë, një faktor tjetër i rëndësishëm është zbuluar që mund të ndikojë në zhvillimin e dismenorresë: cilësia e ajrit, veçanërisht ekspozimi afatgjatë ndaj ndotjes.

Sipas studimit, gjeneratat e reja janë më të rrezikuara ndaj dhimbjeve menstruale për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së ajrit./arbresh.info/

Të ngjashme